Kriza, Ardian Fullani: Rritja e depozitave përmirësoi situatën
Fabiola Çela
Edhe pse një ekonomi e vogël, edhe Shqipëria u prek nga kriza globale. Si pasojë e krizës, dërgesat e emigrantëve pësuan rënie, ndërkohë bankat tkurrën ndjeshëm dhënien e kredive. Por situata nisi të përmirësohej gjatë 3-mujorit të dytë të vitit. Rifillimi i rritjes së nivelit të depozitave në banka përmirësoi situatën. Kështu është shprehur dje kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare për 10-vjetorin e Bankës Qendrore të Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Fullani ka prezantuar edhe të gjitha masat që duhen ndërmarrë në të ardhmen.
Kriza
Kriza globale dha efektet e saj edhe në ekonominë shqiptare. “Ndikimi i parë i krizës ndërkombëtare në ekonominë tonë u shfaq në bilancin e pagesave, duke pasqyruar marrëdhëniet e ekonomisë tonë me botën. Rritja e papunësisë dhe shtrëngimi i kushteve financiare në vendet fqinje të Bashkimit Evropian, u pasuan nga rënia e dërgesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende. Ndërkohë që hendeku ndërmjet kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme thellohej, kjo u shoqërua me një rritje të deficitit të llogarisë korrente dhe shtim të presioneve mbi kursin e këmbimit. Në të njëjtën kohë, sektori bankar, që mbizotëron dukshëm sistemin financiar në Shqipëri, tkurri kontributin financues për ekonominë vendase si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për likuiditet, pasojë e tërheqjes së depozitave nga publiku dhe e rritjes së kërkesës huamarrëse të Qeverisë. Gërshetimi i efekteve të këtyre zhvillimeve ndikoi negativisht në sektorin real të ekonomisë, veçanërisht në biznesin. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, indeksi i besimit të biznesit ra nën mesataren e tij historike, duke treguar për një situatë më të vështirë financiare. Kjo e fundit u pasqyrua edhe nga realizimi i të ardhurave fiskale në nivel më të ulët se plani, si dhe nga rënia e cilësisë së portofolit të kredive që sektori bankar ka hasur gjatë gjithë kësaj periudhe”.
Masat
Për të përballuar situatën e krijuar u ndërmorën një sërë masash. “Në periudhën afatshkurtër, autoritetet publike morën masa për të zvogëluar ndikimin e krizës financiare globale në ekonomi. Nëpërmjet rritjes së konsiderueshme të pjesës së shpenzimeve fiskale të destinuar për investime, kryesisht në infrastrukturë, qeveria i dha një stimul të rëndësishëm sektorit real të ekonomisë për të përballur efektet e krizës globale. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka qenë aktive për pajisjen e tregut ndërbankar me likuiditet, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sektorit bankar dhe minimizimin e rënies së rolit të saj ndërmjetësues. Ne hoqëm kufijtë sasiorë në madhësinë e injektimit të likuiditetit nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes njëjavore dhe zgjatëm afatin e maturimit të instrumenteve të injektimit në tre muaj. Pas një uljeje të normës së interesit me 0.5 pikë përqindjeje në muajin janar dhe pas zbutjes së presioneve inflacioniste në vend, politika monetare i kushtoi një rëndësi të veçantë stabilitetit financiar, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për të gjithë periudhën. Nëpërmjet kësaj politike, u synua që në periudhë afatshkurtër të mbështetej kërkesa për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare. Njëkohësisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Banka e Shqipërisë inicioi ndryshime legjislative për të rritur nivelin e sigurimit të depozitave, si një masë e domosdoshme për të rikthyer besimin e publikut për sigurinë e depozitave bankare. Nga këndvështrimi mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë përforcoi kontrollin e përditshëm të zhvillimeve të sektorit bankar, duke u përqendruar veçanërisht në gjendjen e likuiditetit. Kjo ishte pjesë e një përqasjeje më të gjerë që përfshiu edhe ndryshimet në kuadrin rregullativ, komunikimin më të fuqishëm me sektorin bankar, rritjen e numrit të publikimeve dhe praninë më të madhe në media. Besojmë se këto politika ishin të rëndësishme për administrimin efektiv të nevojave të sektorit bankar për likuiditet, ofruan një orientim të kreditimit drejt monedhës kombëtare dhe ndikuan në ruajtjen e parametrave të qëndrueshëm të kapitalizimit për bankat tona”. Sipas kreut të Bankës së Shqipërisë, “Situata hyri në fazën e një përmirësimi cilësor, pas rifillimit të procesit të rritjes së depozitave të publikut pranë sektorit bankar. Ky proces, i cili u zhvillua në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme në tremujorin dytë të vitit 2009, vijon me ritme të kënaqshme”. Por sipas Guvernatorit të BSH-së, “Pas kapërcimit të efekteve afatshkurtra të krizës financiare globale dhe përmirësimit të situatës ndërkombëtare, autoritetet publike në vend duhet të nisin një proces vlerësimi të kuadrit të veprimeve ligjore dhe financiare, me qëllim rivendosjen e ekuilibrave në veprimtarinë fiskale, monetare e bankare, në mbështetje të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që politika fiskale të ndërmarrë masat përkatëse korrektuese, në mënyrë që të forcojë besimin e agjentëve të tregut dhe të investitorëve, vendas dhe të huaj. Në të njëjtën kohë, politika monetare duhet të vlerësojë efektet e mundshme mbi inflacion të stimulit financiar që i është dhënë sektorit bankar dhe ekonomisë, si edhe të shqyrtojë më pas hapësirat që ekzistojnë për të mbështetur ndërmjetësimin financiar të sektorit bankar në ekonomi me një kosto më të ulët”.