E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoferët e autobusëve pezullojnë transportin

 

SHKODER - Pezullohet transporti i udhëtarëve në linjat e autobusëve Shkodër-Tiranë, Shkodër-Durrës dhe anasjelltas. Drejtuesit e këtyre mjeteve protestuan ndaj vendimit të fundit të bashkisë për vendqëndrimet e reja që bëjnë linjat urbane dhe interurbane. Në bazë të këtij vendimi, që ka filluar të gjejë zbatim më 26 tetor, vendqëndrimi i autobusëve do të zhvendoset nga sheshi pranë Radio Shkodrës, rreth 300 metër më tutje në sheshin përpara Pallatit të Sportit. Por shoferët e konsiderojnë të padrejtë këtë vendim të bashkisë. “Ky vendim do të thotë falimentim për ne, shkatërrim për ekonominë tonë”, u shprehën dje shoferët. Sipas tyre, vendet e përcaktuara për ta janë larg qendrës së qytetit. Kjo jo vetëm u largon atyre klientelën, por sipas tyre edhe favorizon furgonët e palicencuar. “Nëse bashkia nuk do të ndryshojë vendimin, protesta jonë do të vazhdojë me tej deri në grevë të përgjithshme”, shtoi një nga shoferët e linjës Shkodër- Tiranë. Një veprim i tillë është iniciuar edhe nga mungesa e pasagjerëve, pasi shoferët pohuan se që nga dita e hënë, kur është bërë edhe zhvendosja e vendqëndrimit të autobusëve, ata kanë pasur shumë pak udhëtarë. “Projekti për ndryshimin e vendqëndrimit të autobusëve është ndërmarrë për të sistemuar qarkullimin e akseve brenda qendrës së qytetit. Një vendim i tillë u është bërë i njohur të gjithë të interesuarve, duke përfshirë dhe shoqatat e shoferëve. U kemi bërë të qartë se me 26 tetor do të nisë zbatimi i këtij vendimi. U kemi kërkuar që të japin sugjerimet e tyre para kësaj date”, u shprehën burime nga bashkia.     r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›