Berisha merr mbështetje nga Katari për i investime në fushën e gazit të lëngshëm
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Katar, zhvilloi dje një takim me Lartësinë e tij, Emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, Emiri Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani u shpreh se e gëzonte fakti që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Katarit janë në një nivel shumë të mirë dhe theksoi se midis dy vendeve ka potenciale të mëdha që mund ta çojnë përpara bashkëpunimin dypalësh. Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, tha se qeveria shqiptare dhe ai personalisht do të impenjohen për forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria, falë ekonomisë së tregut, reformave të ndërmarra, burimeve natyrore e humane të saj, ka njohur një zhvillim të madh vitet e fundit dhe qeveria po bën përpjekjet maksimale veçanërisht për të krijuar një klimë sa më të ngrohtë biznesi. “Shqipëria është një vend po potenciale të mëdha, me një pozitë të admirueshme gjeografike dhe përballë një tregu shumë të madh përballë një tregu të madh si ai Europian”, - tha Berisha. Më tej kryeministri shprehu interesin e Shqipërisë veçanërisht për investime në fushën e shfrytëzimit dhe përpunimit të gazit të lëngshëm. Në këtë drejtim, kryeministri u shpreh se do të ishte tepër e vlefshme shkëmbimi i vizitave në nivel ministrash dhe të ekipeve të ekspertëve për të vlerësuar më mirë projektet në këtë fushë, duke marrë edhe mbështetjen e Emirit të Katarit. Duke vënë në dukje potencialet e shumta veçanërisht në minerale, ku Shqipëria është vendi i tretë botë për burimet në krom, hekur nikel etj., shumë e pasur në burime ujore, me një bregdet prej 400 kilometra ende të pashfrytëzuar, si dhe me burime njerëzore, kryeministri Berisha u shpreh se kompanitë e Katarit janë të mirëpritura të investojnë në Shqipëri dhe janë të favorizuara gjithashtu nga një sistem fiskal i përshtatshëm. Emiri Al Thani u shpreh shumë i interesuar për mundësitë që ofron Shqipëria për afrimin e kompanive të mëdha të Katarit dhe se ai do të angazhohej personalisht në suksesin e këtyre kompanive. Ai u shpreh se komuniteti i biznesit kishte shprehur interes të veçantë për turizmin, duke qenë se 30 për qind e popullsisë së Katarit gjatë gjithë vitit e shfrytëzonte shumë atë. Në këtë aspekt, u shpreh ai, edhe turizmi shqiptar do të përbënte një fushë me shumë interes për ta. Sikundër theksoi se edhe shfrytëzimi i mineraleve dhe potencialeve të tjera që ofron Shqipëria, janë fusha me interes për komunitetin e biznesit të Katarit. Gjatë takimit u diskutua edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për të cilën Kryeministri Berisha u shpreh se 55 vende e kanë njohur atë dhe do të ketë një vazhdimësi njohjesh nga vende mike. Kryeministri Berisha u shpreh se shpresonte se edhe Katari do ta vlerësonte njohjen e Kosovës. Emiri Al Thani tha se ishte duke e vlerësuar me shumë seriozitet kërkesën për njohjen e Kosovës. Emiri Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani iu përgjigj shumë pozitivisht ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë dhe u shpreh se në vijim të agjendës së tij do të shohë mundësinë të vizitojë këtë verë Shqipërinë për t’u njohur nga afër me bukuritë e potencialet e saj.
11 Mars 2009