Forumi Ekonomik i Tiranës: “Shqipëria po ndien shenjat e para të krizës”
G99-a thotë se kriza ka nisur të shtrihet në shumë sektorë. Deri tani kanë humbur vendin e punës 10 mijë persona
Ervin KOÇI
Ekspertë të ekonomisë, të mbledhur dje në Tiranë, në një forum të posaçëm ekonomik mbi krizën globale, kanë diskutuar lidhur me efektet e kësaj krize ndërplanetare në ekonominë tonë. I organizuar nga lëvizja “G99”, ky forum, i pari i këtij lloji në Shqipëri, kishte për qëllim prezantimin e masave dhe mundësive për të gjetur zgjidhje të ndryshme për të përballuar efektet e krizës ekonomike në vend. Një ndër shqetësimet e ngritura prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë në vend ka qenë rritja e papunësisë në vendin tonë, ku deri tani kanë humbur vendin e punës rreth 10 mijë persona, shifër kjo që nuk është pasqyruar në statistikat zyrtare. Ata paralajmëruan se ekonomia shqiptare ka filluar të ndiejë pasojat e para të krizës ekonomike dhe se situata kërkon një ndërhyrje urgjente nga ana e qeverisë, në mënyrë që në këtë vit zgjedhor të mos gjendemi papritur përballë një cikloni ekonomik. Këto shqetësime i përforcoi sidomos paralajmërimi serioz i përfaqësueses se Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Ann-Margaret Westin. Sipas saj, “ngadalësimi i ekonomisë do të prekë pa dyshim shumë njerëz: disa do të humbasin punët e tyre, disa të tjerë do të kenë të ardhura më të pakta gjatë këtij viti”. “Ne gjithashtu presim një rënie të përgjithshme të nivelit të remitancave (të ardhurat nga emigrantët), e cila do të ndikojë direkt në ekonomitë familjare të shqiptarëve”, - paralajmëroi përfaqësuesja e FMN-së.
Ekonomi: “Kriza...?! Po shtohet numri i të papunëve”
Milva Ekonomi, specialiste e statistikave, e ftuar në panelin e forumit ekonomik, deklaroi se ekonomia shqiptare është në prag të një rënieje reale. "Ne jemi në prag të një rënieje ekonomike, dhe kjo nuk mund të mohohet", - deklaroi Ekonomi. Sipas saj, është rritur në mënyrë shqetësuese numri i ndërmarrjeve që kërkojnë të mbyllin aktivitetin për vitin 2009. “Bilanci tregtar në dy krahët e tij paraqitet me ulje”, - theksoi ajo. Sipas saj, “në janar 2009 eksporti ishte 11.6 për qind më i ulët në krahasim me muajin janar 2008 dhe importi ishte 10.5 për qind më i ulët se një vit më parë”. Nga ana tjetër, ndërmarrjet me material porositësi kanë më pak kontrata të siguruara, duke sjellë përfundimin e kontratave për të paktën 10 mijë punëtorë në këtë treg. “Elementët konkretë të krizës janë fakti që punëtorët po humbasin vendet e punës. Këtë vit ka pasur 10 mijë njerëz të papunë, ndaj kërkesa e brendshme është duke u errur", - tha më tej ajo. Po ashtu, edhe sektori i bujqësisë ka ulur shumë produktin që eksporton dhe kjo, sipas ekspertes, është një tjetër tregues i rënies ekonomike. Sipas Ekonomit, për t'i ardhur në ndihmë ekonomisë duhen rregulluar disa agregatë që sistemojnë nga ana fiskale tregun. Duke nënvizuar se tashmë nuk është koha të konfuzohemi, por të marrim masa sa më të shpejta dhe efikase, Ekonomi sugjeroi: “Duhet bërë kujdes te fondi i ndihmës ekonomike, mbasi numri i familjeve që mund të bien në varfëri mund të rritet”. Sipas saj, në vendin tonë ka pak diskutime për krizën sepse të dhënat që mund të prodhojë Shqipëria janë të pakta, pasi e ka shumë të dobët sistemin e informacionit.
Filipi: “Kreditimi, karburanti i ekonomisë shqiptare”
Gjergji Filipi (ish-student i universitetit “George Town”) u fokusua në adresimin e Faktorëve të Rritjes Ekonomike në Shqipëri dhe në fokusin e presioneve të krizës ekonomike globale. “Rënia e ritmeve të kreditimit duhet adresuar saktë dhe shpejt, duke hartuar mekanizma nxitës për stimulimin e kreditimit si ‘karburanti’ i domosdoshëm për përballimin e presioneve frenuese mbi ekonominë”, - tha ai. Ndërsa sugjeroi se, “rënia e dërgesave nga emigrantët duhet kompensuar duke mbështetur eksportet për riekuilibrimin e prurjeve valutore, si dhe shtresat që ndikohen drejtpërsëdrejti në konsum nga kjo rënie”.
Ekspertët: “Deficiti fiskal, më i madh se parashikimet”
Dy prezantimet e tjera u mbajtën nga dy ish-studentë të shkëlqyer të Harvardit, Sagita Muço dhe Ilir Ciko (ish-zëvendësministër i Ekonomisë). “Të ardhurat nga tatimet e konsumit (TVSH), të fitimit dhe të tregtisë do të jenë më të rrezikuarat dhe deficiti fiskal rrezikon të jetë më i lartë sesa është parashikuar”, - tha ekspertja Muço. Ndërsa Ilir Ciko paralajmëroi se tkurrja e tregtisë botërore dhe veçanërisht e asaj europiane gjatë vitit 2009 do të pasqyrohet drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare. “Ndikimi më i konsiderueshëm,- theksoi ai, - lidhet me industritë e rieksportimit që përbëjnë pjesën më të rëndësishme (rreth 2/3) të eksportit shqiptar. Kjo do të ketë rënie të aktivitetit prodhues, që do të ketë ndikimin e vet edhe në punësim”, - tha ai.
11 Mars 2009