FMN: “Paratë e privatizimeve, vetëm për financimin e buxhetit të 2009-s”
Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga qeveria shqiptare që gjatë vitit të krizës ekonomike dhe financiare, të ardhurat nga privatizimet strategjike të përdoren për financimin normal të buxhetit, dhe jo për shpenzime shtesë. Kjo deklaratë është bërë nga përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ann-Margaret Uestin. Në një prezantim që ka dërguar për në Forumin Ekonomik të Tiranës, të mbajtur dje, ndikimet e krizës ekonomike botërore mbi ekonominë shqiptare dhe hapat që duhet të ndërmarrin. Kjo deklaratë vjen menjëherë pas qëndrimeve të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i cili ka pohuar se me shumën prej rreth 280 milionë eurosh të mbledhura nga privatizimet, do të financohet rruga “Durrës-Kukës”, do të dëmshpërblehen ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se rritja ekonomike gjatë këtij viti do të jetë 2-3 për qind më e ulët se gjatë vitit të kaluar. Për këtë arsye, pasojat do të jenë të konsiderueshme dhe do të preken nga varfëria shumë shqiptarë. Uestin propozon një sërë masash për kabinetin “Berisha”, i cili ende nuk e ka pranuar faktin se Shqipëria është në krizë, ashtu si vendet e tjera të rajonit, të BE-së apo shtete të tjera të globit. FMN-ja thekson se është e nevojshme që të mbahen politika të matura dhe të forcohen aftësitë ripërtëritëse të ekonomisë në kushtet e sfidave aktuale të krizës botërore. “Një politikë buxhetore e matur do të jetë çelësi kyç në mjedisin aktual gjatë këtij viti zgjedhor”, - thuhet në rekomandimet për qeverinë. Po ashtu, është e nevojshme për të krijuar një xhep fondesh nga buxheti, të cilat duhet të përdoren për mbështetje sociale shtesë nëse do të jetë e nevojshme. Në listën e pikave që u sugjerohen autoriteteve shqiptare është që të mos preket fondi i kontigjencës dhe të shtyhet për më vonë vendimi për uljen e skemës së sigurimeve shoqërore, të planifikuar më 1 maj. Rekomandimi i Uestin për autoritetin qendror bankar është që të tregohet vigjilente në kontrollin dhe monitorimin në mënyrë të shpeshtë të sektorit financiar. Por pika më e rëndësishme mbetet përdorimi i të ardhurave nga privatizimet për financimin normal të buxhetit, ku parashikohet edhe mbështetja e shtresave në nevojë në raste të përkeqësimit të treguesve për shkak të pasojave të krizës. Sipas Fondit, nëse do të ketë një kthesë pozitive të ekonomive botërore gjatë këtij viti, pasojat e krizës do të jenë të vogla në Shqipëri. Qeveria “Berisha” ka përcaktuar një skemë për përdorimin e fondeve që do të mblidhen nga privatizimet. Gjatë 2009-s futen në buxhetin e shtetit rreth 280 milionë euro, të realizuara dy vitet e fundit nga shitja e aseteve shtetërore, të cilat do të përdoren kryesisht për financimin e infrastrukturës dhe veçanërisht për rrugën “Durrës-Kukës”. Rreth 125 milionë euro janë përftuar nga shitja e ARMO-s, 102 milionë euro nga OSSH-ja, 50 milionë euro nga pjesa e mbetur e aksioneve të AMC-së dhe të tjerat nga shitja e INSIG-ut dhe aseteve të tjera shtetërore.
11 Mars 2009