E Diel, 1 Nëntor 2026

FDE i jap vlerë, nder, dinjitet, barazi dhe respekt universiteteve shqiptare

Strategjia e Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”. Galdini: “Kauza jonë është kauza e vendosjes së parametrave të barazisë së kushteve”

Tiranë – FDE (Forumi për Demokraci dhe Etikë), pasi u ka uruar të gjithë mësuesve, pedagogëve dhe njerëzve të mendimit shqiptar, festën e tyre më 7 Mars, me ngasje dëshirën dhe aksionin e përhershëm me kahje të mirën dhe kontributin e synimin e tij për të qenë aktorë dhe autorë në një proces këmbëngulës ndryshimi, hapi të shtunën fushatën: Brain Stand – “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar”. “Përderisa sot në Shqipëri të gjithë flasin për ndryshim, ne si FDE, kemi ambicien e madhe që të flasim fort e me zë të vendosur, e njëkohësisht me veprim e akte të qarta për transformim. Nëse ndryshimi është specifikisht përmirësimi i vetëm njërit apo disave prej komponentëve që përbëjnë dhe formësojnë shoqërinë, shtetin, vendin, Transformimi është përmirësimi progresiv i paarrestueshëm, i pabllokueshëm i të gjithë këtyre komponentëve. Fushata Brain Stand filloi me shpalljen në këtë 7 Mars të Brain Stand Strategy dhe do të shoqërohet me një sërë takimesh intensive nëpër Auditorë Universitetesh, me Akademikë, Intelektualë, Pedagogë dhe Studentë”, -tha drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini.
Synimet
FDE-ja do të synojë e përpiqet të prezantojë, pasurojë dhe përmirësojë idetë dhe Strategjinë e saj Brain Stand– “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, nëpërmjet debateve publike, takimeve me zyrtarë, politikanë, vendimmarrës, drejtues të institucioneve arsimore, drejtues të Akademisë së Shkencave, rektorë, dekanë të universiteteve shqiptare, qofshin publike apo private, pedagogë, intelektualë dhe studentë. “Kauza jonë është kauza e vendosjes së parametrave të barazisë së kushteve, mundësive dhe shanseve, ku mendimi shqiptar, pedagogët shqiptarë, universitetet shqiptare, publike dhe private, studentët shqiptarë, të ndihen të respektuar, vlerësuar dhe lartësuar. Me këtë nismë ne duam t’i japim jetë dhe forcë hapjes së një debati të madh publik, i cili do të formatojë dhe përjetësojë politika, vendime dhe strategji të qëndrueshme afatgjata, të cilat i japin vlerë, nder, dinjitet, barazi dhe respekt universiteteve shqiptare, studentëve që studiojnë në to dhe mendimit shqiptar në përgjithësi”, - vijoi drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini.
Marshimi i shpresës
Sipas Galdinit, kjo fushatë sensibilizuese do të përmbyllet në datë 28 mars 2009, kur FDE-ja do të ftojë të gjithë akademikët, intelektualët, pedagogët, studentët, sipërmarrësit në fushën e arsimit, qytetarët dhe politikanët shqiptarë që të gjithë të marrin pjesë në MARSHIMIN E SHPRESËS. “Ditën e shtunë, më datë 28 mars, ora 12:00, të gjithë së bashku të dëftojmë me këtë akt qytetar, se duke u mbledhur në sheshin ‘Skënderbej’ dhe duke marshuar nëpër bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe duke përfunduar në sheshin ‘Nënë Tereza’, përballë Rektoratit, ne japim mesazhin e madh të shpresës që më së miri duhet të ushqehet, rritet dhe forcohet vetëm nëse në Shqipëri do të krijohen kushtet, merren vendimet dhe ndërtohen strategjitë, të cilat i japin vlerë, nder, dinjitet, barazi dhe respekt universiteteve shqiptare, studentëve që studiojnë në to dhe mendimit shqiptar në përgjithësi”, -përfundoi drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini.

Brain Stand Strategy. “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”

Për një këndvështrim ndryshe të Mendimit Shqiptar

FDE -Forumi për Demokraci dhe Etikë, që në zanafillën e tij ka nisur aksionin e krijimit të Aleancës së Madhe të Mirëbesimit. Ky aksion, ndër të tjera, ka për qëllim ngritjen e figurës së qytetarit shqiptar, lartësimin e tij dhe të dinjitetit të tij, për moslejimin e trajtimit të tij si qytetar i dorës së dytë, edhe në këtë kuadër, sigurisht duke u përthelluar në ambicien tonë, FDE do të jetësojë fushatën sensibilizueze të quajtur Brain Stand - “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar.”
Pse një ndërmarrje e tillë? Vendi ynë ka përjetuar një mori ndryshimesh të vrullshme e të thella, të cilat kanë prekur, dhe kanë pasur për qëllim, hierarkinë e vlerave. Për rrjedhojë një gjë e tillë ka sjellë një pështjellim dhe moskohezion ndërmjet anëtareve të shoqërisë. Ky sistem vlerash i jo-mirërenditur, i jokonktretizuar nëpërmjet modeleve të njohura historike, kombëtare dhe universale, modeomos do të sillte për pasojë ecejaken individuale e sociale nëpër kërkim të vlerave, e cila ka kosto të lartë për gjithë ecurinë e kualitetit të jetës së individit - në këtë rast të qytetarit shqiptar. Prandaj, seria e takimeve dhe nismave të ndërmarra nga FDE kanë pasur së pari, por jo të vetmin qëllim, krijimin e klimës së mirëbesimit në disa nivele të shoqërisë shqiptare.
Shprehëse dhe rrjedhojë e kësaj situate paqartësie ka qenë edhe hierarkia e vlerave akademike për mendimin shqiptar. Për këtë janë ndërmarrë një sërë reformash të iniciuara nga qeveria dhe institucionet përkatëse. Po përmendim disa prej tyre: Fillimisht ishte ajo me qëllim de-komunistizimin e kurrikulave dhe mendimit universitar dhe në përgjithësi të shkollës shqiptare, si për nga përmbajtja, por edhe nga ana strukturore-organizative. Ndërkohë, largimit nga vendi të shumë shqiptarëve kësaj popullate iu bashkuan dhe shumë intelektualë. Prej kësaj dukurie lindi koncepti i “rrjedhjes së trurit kombëtar”. Ikja apo rrjedhja e trurit ishte dhe vijon të jetë ndoshta një prej humbjeve më të mëdha, që ka pasur shoqëria shqiptare. Metodat statistikore nuk do të mund të shprehin dot në tërë dimensionalitetet e veta efektet që pati një gjë e tillë, për sa kohë bëhet fjalë për “më të pallogaritshmen” vlerë-mendimin.
Aktorë të ndryshëm të shoqërisë vendosën të aplikojnë projekte dhe programe për kthimin e intelektualëve shqiptarë që kishin emigruar dhe që po jepnin kontributin e tyre në vende të tjera. Edhe pse FDE ka qenë dhe është përkrahëse e kësaj ideje, sikurse dhe për çdo ide e cila kontribuon sadopak në rritjen e potencialeve të vendit tonë, sërish e sheh të nevojshme në mos të domosdoshme ngritjen e një strategjie më afatgjatë, duke nisur së pari në krijimin e një klime sigurie dhe respekti për mendimin shqiptar kudo ku ai kultivohet. Këtë ne kemi dashur ta quajmë Brain Stand- “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”.
Brain Stand merr parasysh dhe reformat dhe transformimet e thella që kanë ndodhur në fushën e mendimit shqiptar, siç janë krijimi i universiteteve të reja nëpër rrethe, krijimin e shkollave jopublike apo sikurse njihen me emrin Universitet Private, reformën në kërkimin shkencor si dhe procesin e implementimit të Kartës së Bolonjës. Por ne mendojmë se këto që përmendem dhe të tjera, vetëm sa e shtojnë nevojën për një diskutim të gjerë rreth fatit të mendimit shqiptar dhe ecurisë së tij në të ardhmen.

1. Nisma për Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, ka ndërmend të themelojë një frymë e cila do të ngjallë shpresë për këdo që do të investojë kohë energji dhe para, pjesë nga jeta e tij, në sektorin e dijeve. Prandaj FDE do të përpiqet të krijojë ambientin e duhur që të gjitha palët e interesuara dhe aktorët vendim-marrës të angazhohen të lënë për një çast pozicionimet e tyre të bazuara, vetëm apo në politikat,rrethanat, strategjitë aktuale, apo të mëparshme, dhe të reflektojnë thellë për një zgjidhje më afatgjatë. Mendimi shqiptar dhe ecuria e tij në kohë është shqetësim publik dhe si i tillë kërkon një vëmendje të posaçme.
2. Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, ka për qëllim që të vërë në pah larmishmërinë e problematikës krijuar gjatë këtyre viteve dhe prej këtej të nisim punën tonë për t’i dhënë një zgjidhje solide, individit që studion brenda dhe jashtë vendit.
3. FDE e shikon si problematik ligjërimin aktual mbi lëmin e mendimit shqiptar, që më shumë duket si një sistem i bazuar në stereotipe dhe paragjykime, sikurse janë: a) Ndarja midis sistemit arsimor dhe kërkimor privat dhe publik, shqiptar dhe i huaj. b) Ndarja midis studentit shqiptar dhe të huaj, c.)Ndarja midis studentit që studion ne universitetet shqiptare dhe atyre që studiojnë në universitete të huaja. d) Ndarja midis të diplomuarit në universitetet shqiptare dhe të diplomuarve në universitetet e huaja. e) ndarja Tiranë dhe rrethe. Prej kësaj ndarje herë-herë të shprehur edhe në akte zyrtare, kemi një situatë krejt të vagullt duke nisur që nga studenti, dhe profesorati deri tek kërkuesi shkencor. Duket se në tërësi sistemi i hierarkisë së vlerave akademike që mbart një institucion universitar dhe shkencor është i bazuar në disa premisa apo gjykime, të cilat janë arritur nga vetë njerëzit në rrjetin e miqve dhe rrjete të tjera private të informimit
4. Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, kërkon të diskutohet dhe të arrihet në ndërmarrjen e veprimeve konkrete rreth mundësisë për inkorporim, debat, korrektim, përmirësim, të të gjitha politikave të ndërmarra deri më tash, në mënyrë që ‘mendja” të mos lihet në dorë vetëm të projekteve me afate të përcaktuara, por të ketë një shestim të qartë të rrugës së karrierës të të gjithëve duke filluar nga studentet nëpër auditorq, deri tek studiuesit në fushat e tyre përkatëse. Për të arritur një gjë e tillë është e domosdoshme marrja e mendimit të të gjithë faktorëve kryesore të mendimit shqiptar, nga Akademia e Shkencave, qendrat e studimeve, universitetet etj.
5. Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, kërkon qartësimin më tej të sistemit të studimeve të larta dhe përcaktimin në programet dhe kurrikulat universitare. Propozohet që studentit dhe kandidatit për studime t’i ofrohet on-line dhe drejtpërdrejtë një broshurë, e cila të vërë në dijeni për të gjithë hapat që do t’i duhen për të ndjekur si në specializime përkatëse, ashtu dhe në karrierën akademike. Gradualisht të krijohen pranë të gjithë institucioneve përkatëse, struktura këshillimore për studentët të cilat të kenë për detyrë të përditësojnë me të rejat që kanë ndodhur brenda sistemit arsimor si dhe këshillime për vetë karrierën personale të studentit.
6. Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, kërkon të krijojë kushtet për debat dhe dhënie zgjidhje rreth statusit të akademikut, profesorit, kërkuesit shkencor. Kjo do të bëhet me qëllim krijimin e një statusi i cili t’i garantojë lirinë akademike të plotë studiuesit si dhe të rrisë interesin për pasjen e këtij statusi nga të rinjtë. Kjo mund të arrihet duke hartuar një status përkatës ku të shprehen të gjithë elementët e nevojshëm...
7. FDE, nëpërmjet Brain Stand, “Qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”, propozon krijimin e një agjencie shtetërore –(përtej konceptit të deritanishëm të Agjencisë së Akreditimit), dhe/ose sikur ta shohin të arsyeshme palët, e cila, të ketë për funksion kryesor vlerësimin periodik të cilësisë akademike të fakulteteve dhe institucioneve kërkimore shkencore. Duke mos pranuar ndarjen e deritanishme private/publik, Tiranë/rrethe etj., por duke u bazuar në vlerësimin faktik të cilësisë akademike që do të dëshmojnë nëpërmjet publikimeve, cilësisë së mësimdhënies, kurrikulës etj.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›