E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalendari i shpërndarjes së lejeve të legalizimit në të gjitha rrethet



Eljona Ballhysa
Agjencia e Legalizimeve ka bërë publik një kalendar me datat dhe orarin e saktë për tërheqjen e tapive për personat që kanë përfituar nga ligji për legalizimin e objekteve informale. Duke filluar që nga dita e nesërme dhe gjatë gjithë muajit në vijim Agjencia e Legalizimeve dhe filialet e saj në të gjitha rrethet e vendit do të hapin dyert për qytetarët, të cilëve do t’u japin tapitë për ligjërimin e banesave informale, që pas procesit të legalizimit do të hipotekohen po nga ALUIZNI në bashkëpunim me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin. Në bazë të kalendarit të bërë publik nga Agjencia e Legalizimeve, nesër fillon shpërndarja e tapive për banorët e rrethit të Shkodrës, të cilët duhet të paraqiten në filialin e agjencisë në këtë qytet. Ndërsa ditën e enjte shpërndahen lejet e legalizimit për shtesat në pallatet në kryeqytet, të premten vazhdon procesi në Elbasan etj., në bazë të tabelës së datave dhe orareve që gazeta publikon më poshtë.
Dosjet
Sipas ALUIZNI-t, aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët. Deri në këtë moment ALUIZNI ka përmbyllur plotësimin e dosjeve dhe ka gati për pajisje me leje legalizimi 4504 objekte, për të cilat qytetarët kanë shlyer detyrimet financiare. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor.
Tarifat
Në bazë të ligjit të legalizimeve, banorët që kanë objekte pa leje do të paguajnë për truallin e zënë. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë. Ndërsa për pacelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2 , 200 mijë lekë, për sipërfaqe derio në 200 m2, 300 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 300 m2 , 400 mijë lekë, dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Në bazë të paketës financiare, objektet informale që kanë funksion social-ekonomik, vlera në lekë e parcelës ndërtimore do të llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për m2 në momentin e kalimit të pronësisë. Për objektet informale me funksion të përzier, pra që përdoren për banim dhe për funksione ekonomike, për të llogaritur vlerën e parcelës ndërtimore do të aplikohet koeficienti i shfrytëzimit të banesës. Sipërfaqja që përdoret për banim do të paguhet me vlerat e parashikuara në ligjin e legalizimeve, ndërsa sipërfaqja që përdoret për aktivitete ekonomike do të paguhet sipas vlerës së tregut në momentin e kalimit të pronësisë.
Pagesat
Likuidimi i vlerës së parcelës ndërtimore do të bëhet menjëherë për të gjitha objektet me funksion social-ekonomik në numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Ndërsa për objektet informale me funksion banimi dhe funksion të përzier, likuidimi i parcelës ndërtimore mund të kryhet në disa mënyra. Në rast se pagesa kryhet menjëherë, pronari i objektit pa leje përfiton 20% zbritje të vlerës për sipërfaqen totale të parcelës. Një variant tjetër është pagesa brenda një viti me dy këste, ku kësti i parë të jetë jo më pak se 50% e vlerës, duke përfituar 10% zbritje në vlerën e këstit të dytë. ALUIZNI gjithashtu ka parashikuar dhe mundësinë e pagesës brenda tre viteve në rastet e pamundësisë së shlyerjes së këstit të dytë. Po kështu, për shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore subjektet mund të përfitojnë nga skema e kreditimit bankar.

KALENDARI I AKTIVITEVE PËR SHPËRNDARJEN E LEJEVE TË LEGALIZIMIT

DT. AKTIVITETIT DITA ORARI QARKU/RRETHI
11. 03.2009 E mërkurë 11.00 Shkodër
12.03.2009 E enjte 11.00 Tiranë (pallatet me shtesa)
13.03.2009 E premte 11.00 Elbasan
17.03.2009 E martë 11.00 Vlorë
18.03.2009 E mërkurë 11.00 Sarandë
19.03.2009 E enjte 11.00 Lezhë
20.03.2009 E premte 11.00 Durrës
24.03.2009 E martë 11.00 Berat
25.03.2009 E mërkurë 11.00 Tiranë
26.03.2009 E enjte 11.00 Fier
27.03.2009 E premte 11.00 Korçë
30.03.2009 E hënë 11.00 Lushnjë
31.03.2009 E martë 11.00 Pogradec
01.04.2009 E mërkurë 11.00 Kavajë
02.04.2009 E enjte 11.00 Gjirokastër
03.04.2009 E premte 11.00 Kukës
07.04.2009 E martë 11.00 Dibër

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›