E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr urime të shumta për fitoren dhe koalicionin me LSI

Rezultati paraprak nxorri fitues koalicionin e djathtë, i cili i vetëm nuk mund të qeveriste qeverinë e ardhshme. I ndodhur në këtë pozicion, ky koalicion së bashku me koalicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nënshkruan marrëveshjen për qeverisjen e ardhshme katër vjeçare. Pas përfundimit të rezultateve dhe vendosjes së këtij koalicioni, urimet e shumta kanë mbërritur në adresë të liderit të Partisë Demokratike, për fitoren e mandatit të dytë qeverisës dhe për krijimin e këtij koalicioni. Mësohet se gjatë këtyre ditëve, kryeministri Berisha ka marrë një sërë telegramesh dhe e-maile urime për fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe formimin e koalicionit qeverisës. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, zoti Menduh Thaçi, i ka dërguar kryeministrit Berisha një telegram urimi me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare. Në urimin e tij, Thaçi në emër të partisë që përfaqëson ka përgëzuar organizimin e zgjedhjeve të qeta, të drejta dhe demokratike. Ju uroj për fitoren e koalicionit të djathtë, të cilin zoti kryeministër ju e udhëhiqni, me çka shqiptarët i bashkëngjiten shteteve më demokratike evropiane. Përgëzimet e mia të sinqerta për gatishmërinë e formimit të koalicionit qeveritar në bazë të gjerë politike, së bashku me Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, thuhet në telegramin e urimit të kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. Edhe kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti i ka dërguar një telegram urimi kryeministrit Berisha. Deklarimi për formimin e koalicionit qeveritar shpreh gatishmërinë e subjekteve politike për të vënë interesin shtetëror para interesave partiake. Ky përcaktim dëshmon pjekurinë politike të udhëheqësve partiakë. Me bindjen e plotë se qeveria e re do të dijë të çojë përpara aspiratat e popullit të Shqipërisë, ju uroj sukses në rrugën drejt Evropës, thuhej në telegramin e urimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›