E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja manipulimet dhe vjedhjet e votave në Kavajë

Megjithëse fati i zgjedhjeve të 28 qershorit tashmë është përcaktuar në lidhje me fituesin, standardet e këtyre zgjedhjeve nuk mund të quhen kurrsesi të lira dhe të ndershme. Në zonën e Kavajës, në shumë qendra votimi, ka vazhduar i njëjti fenomen ashtu si në të kaluarën: vjedhja dhe manipulimi i rezultateve. Nuk është rastësi që në një kuti u gjenden 300 fletë votimi të plotësuara më shumë, se sa numri i personave që morën pjesë në zgjedhje. Kutia në fjalë i përket qendrës së votimit në fshatin Spille të komunës së Kryevidhit, ndërkohë që ky fenomen ka bërë xhiron e botës duke u komentuar edhe nga shumë media të huaja. Në shumë qendra të tjera, komisionerët janë bërë palë me manipuluesit duke shitur rezultatin e votimit real në favor të Partisë Demokratike. Akuza të tilla vijnë nga burime pranë degës së PS-së në Kavajë, ku një pjesë e mirë e komisionerëve të saj duket se janë bërë palë me komisionerët e PD-së, për të fiksuar rezultatin që dëshirohej nga mazhoranca e djathtë. Edhe LSI ka akuzuar për vjedhje të votës në këto zgjedhje, ndërkohë që dega e Partisë Republikane në Kavajë, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se ka arritur rezultat pozitiv në zgjedhjet e 28 qershorit duke marrë 2261 vota në total dhe duke u renditur forca e tretë në Kavajë. Sipas rezultateve përfundimtare, në qarkun e Tiranës si subjekte politike, Partia Socialiste është renditur e para me 161 179 vota, kundrejt 159 503 të Partisë Demokratike, ndonëse si koalicion kjo e fundit kryeson në këtë qark. Në vendin e tretë është renditur Lëvizja Socialiste për Integrim me 17 423 vota, e cila mundi të nxjerrë një deputet në ëtë qark, i cili është kryetari i LSI-së Ilir Meta. Në lidhje me administrimin e zgjedhjeve, KQZ caktoi për zonën e Kavajës dy ZAZ, atë me numër 59 që përfshinte komunën e Golemit, Helmësit dhe bashkinë Kavajë, si dhe ZAZ nr 60 që kishte bashkinë e Rrogozhinës dhe 6 komunat e mbetura. Në këto dy zona, Partia Demokratike ka dal fituese duke marrë shumicën e votave, madje për tu theksuar është se PD ka fituar edhe në Rrogozhinë ndaj Partisë Socialiste me 217 vota më shumë. Fitore e PD-së është shënuar edhe në bashkinë e Kavajës së bashku me komunat Golem dhe Helmës, ku në total PD ka marrë 8123 vota kundrejt 4484 votave, që ka marrë Partia Socialiste. Megjithëse LSI ka dalë forcë e tretë politike në të gjithë qarqet e vendit, në zonën e Kavajës ajo është renditur e katërta. Partia Republikane me kandidatin e saj në këto zgjedhje Dash Bajaziti ka arritur të marrë në total 2261 vota në të gjithë zonën e Kavajës, nga Golemi deri në Sinaballaj. Partia Republikane ka marrë 1526 vota në zonën e komunës Golem, Helmës dhe në bashkinë e Kavajës si dhe 735 vota të tjera në komunat Synej, Kryevidh, Luz i Vogël, Lekaj, Gosë, Sinaballaj dhe bashkinë e Rrogozhinës. Në lidhje me LSI-në, ajo ka shënuar një rritje të konsiderueshme në përqindje në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por është renditur e katërta. LSI ka marrë 403 vota në zonën që ishte pjese e ZAZ nr 59 (Golem, Helmës, Kavajë) 671 vota të tjera në pjesën tjetër të nën prefekturës, në 6 komuna dhe bashkinë e Rrogozhinës. Në total LSI e Kavajës i ka dhënë qarkut të Tiranës 1074 vota nga 17 423 që kjo parti ka fituar në këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›