E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ministrave: Analizoni 100 ditët tuaja

Kryeministri Sali Berisha e nisi me veten për t’iu kërkuar dje 15 ministrave të kabinetit të tij, që të bëjnë gjithsecili analizën e 100 ditëve të veta në dikasteret që drejtojnë. Berisha zhvilloi paraditen e djeshme mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për vitin 2009. Duke e cilësuar këtë mbledhje si finalen e një 100-ditëshi të suksesshëm të kësaj qeverie, Kryeministri Berisha shprehu falënderime dhe mirënjohje për kabinetin qeveritar, stafet e tyre dhe të gjithë administratën publike, pa ndihmën dhe përkushtimin e të cilëve reformat e ndërmarra do të kishin qenë të pamundura. Kryeministri Berisha theksoi se intensiteti i këtyre 100 ditëve ka qenë i paprecedentë, janë miratuar mbi 360 ligje dhe vendime, janë zbatuar dhjetëra e dhjetëra reforma që bënë të mundur vendimet historike. Të gjithë këto, - u shpreh Kryeministri, - janë tregues i një performance të madhe. “Mendoj se ky kabinet u angazhua me përkushtim të madh në shfrytëzimin maksimal të kohës, qëndroi në lartësinë e kërkesave dhe, realisht, ndërmori reformat më të thella se në çdo 100-ditësh tjetër. Në një analizë të përafërt rezulton se intensiteti i këtij 100-ditëshi ka qenë së paku 50 për qind më i lartë sesa intensiteti i 100-ditëshit në vitin 2005 dhe për këtë unë dua t’ju falënderoj e t’ju përgëzoj. Gjithashtu, dëshiroj t’ju shpreh një falënderim për të gjithë ekipet dhe stafet tuaja. Reformat e ndërmarra do të kishin qenë absolutisht të pamundura pa përkushtimin e tyre, do të kishin qenë rudimentare dhe nuk do të mund të bënim kurrë ndonjëherë bilancin që bëmë”, - tha z. Berisha. Ndaj, iu drejtua Kryeministri ministrave të tij, edhe ju do të paraqisni rezultatet e 100-ditëshit, sepse unë bëra një paraqitje të përgjithshme. Natyrisht, secila ministri do të bëjë bilancin e vet të 100 ditëve, por e mendova ta bëni pas Vitit të Ri. “Mund ta bënit edhe ju më parë, pastaj unë, por unë hapa siparin dhe ju, secila nga ministritë, sipas një programi do të paraqisni të gjitha arritjet dhe veprimtaritë 100-ditore. Theksoj edhe një herë se 100 ditë ishin sa 300 ditë. Këto 100 ditë janë mbi 360 ligje dhe vendime të miratuara dhe ky është treguesi i një performancë të madhe. Janë me dhjetëra e dhjetëra reforma të zbatuara që bënë të mundura vendimet historike. Ndaj, edhe një herë, unë me respektin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë ndaj jush dhe ndaj punonjësve të administratës suaj, dua t’ju uroj një vit të ardhshëm me suksese edhe më të mëdha. Ka një seri vendimesh të tjera që kanë të bëjnë me leje, me licenca, me shpronësime. Pra, kjo është finalja e një 100-ditëshi të suksesshëm”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›