Politika shkurt
Qeveria cakton bordin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit
Këshillimi i Ministrave caktoi dje ekipin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi përcaktimin e ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin kryetar të këshillit drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Gjithashtu vendosi emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, znj. Majlinda Bregu, ministër i Integrimit, z. Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm, z. Nezir Haldeda, zëvendësministër i Financave.
Topalli feston me jetimët vlonjatë
Në prag të festës së ndërrimit të viteve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje në shtëpinë e fëmijëve jetimë tek Uji i Ftohtë në Vlorë. E gjendur mes fëmijëve të moshave të ndryshme, disa prej tyre edhe foshnja të porsalindura, zonja Jozefina Topalli uroi që ata të rriten të mirë e të lumtur dhe dëshirat e tyre të realizohen. “Unë uroj që këta fëmijë të rriten të shëndetshëm, të lumtur dhe gjithmonë me fat të mirë”, - tha ajo. Kryetarja Jozefina Topalli falënderoi stafin e shtëpisë së fëmijëve jetimë të Vlorës për punën e mrekullueshme që bëjnë, për përkujdesjen që tregojnë ndaj këtyre fëmijëve dhe për dashurinë që u falin çdo ditë. “Unë e lexoj në sytë tuaj se si i mbani dhe kujdeseni për këta fëmijë”, - tha zonja Jozefina Topalli, duke vlerësuar edhe ambientin mikpritës dhe familjar të krijuar për ta. Kryetarja Jozefina Topalli shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët e kësaj qendre.
Dita e Ashures, Berisha uron besimtarët bektashinj
Kryeministri Berisha vizitoi dje në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures. Kryeministri Berisha i përcolli Kryetarit të Kryegjyshatës, Baba Dede Reshat Bardhit, dhe të gjithë besimtarëve bektashinj urimet më përzemërta për këtë ditë të shenjtë, si dhe u uroi atyre festat e fundvitit. Në urimin e tij Berisha u shpreh: “Të gjithë bektashinjve shqiptarë u uroj nga zemra gëzuar këtë ditë të madhnueshme, ditë të bekuar, Ditën e Ashures. Kjo është një ditë për të shprehur nderimin më të madh për veprën e ndritur të bektashinjve në historinë tonë kombëtare, për ndihmesën e tyre të madhe në tolerancën fetare, por edhe atdhetarinë që ka karakterizuar në të gjitha kohërat bektashizmin shqiptar”. Më tej, Kryeministri shtoi: “I shpreh respektin tim më të madh Baba Dede Reshat Bardhit për punën e tij të çmuar dhe përkushtimin e madh në rindërtimin e vlerave bektashiane në Shqipëri. Dëshiroj ta mbyll me urimin më të përzemërt për të gjithë bektashinjtë shqiptarë për vitin 2010: U uroj një vit me gëzime, mbarësi, suksese dhe çdo të mira për ta”. Edhe Presidenti Bamir Topi uroi besimtarët bektashinjtë për Ditën e Ashures.