Berisha ndërpret konferencën, zëdhënësja bllokon pyetjet e gazetarëve
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka premtuar sot në konferencën e fundit për këtë vit se në vitin 2009 nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë elektrike, përveç rasteve të jashtëzakonshme. Sipas tij në vitin 2009, përveç burimeve aktuale të energjisë futen në punë edhe TEC-i i Vlorës si dhe HEC-et e vogla.
Gjithashtu Berisha ka premtuar edhe rritje rrogash për vitin në vazhdim.
Këtë vit punonjësit e administratës janë shpërblyer si asnjëherë tjetër në histori. “Rrogat pësuan një rritje me 34%, rrogat e arsimtarëve me 78%, rrogat e punonjësve të shëndetësisë me 51%, pensionet e fshatit u rritën me 78% ndërsa ato të qytetit nga 48-70%- tha Berisha.
“Dua ti garantoj se kam mbetur dhe mbetem i palëkundur në politikën time të rritjes së rrogave dhe pensioneve”- vazhdoi ai.
Arritjet për vitin 2008
Berisha ka paraqitur edhe të gjitha arritjet në vitin që po lëmë pas. Ai e ka quajtur këtë një vit historik, të realizimit të shumë projekteve dhe reformave.
Kosova
“Ishte viti i pavarësisë së Kosovës si kurorëzim i një përpjekje njerëzore, një kryevepër qëndrese e gjithanshme”- tha Berisha. “Duhet ta pranojmë që populli kosovar me një kuadër ligjor ndërkombëtar ja doli të shpallë pavarësinë. Me këtë shqiptarët fituan dinjitetin që e kishin të përgjysmuar”.
Ftesa për në NATO
Vitin 2008 Berisha e quajti historik për gjithë shqiptarët, pasi Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në NATO.
“Është një vit i madh pasi Shqipëria kthehet në familjen e kombeve të lira perëndimore pas disa shekujsh pushtimesh e diktaturash”- tha Berisha.
Reformat në drejtësi
Gjithashtu këtë vit që lamë pas Berisha e konsideroi si një një viti reformash të mëdha dhe të gjithanshme. “Si asnjë vit tjetër nisi me konsensus ligji për sistemin e drejtësisë, u mbyll me konsensus me Kodin Zgjedhor të votuar sot, ligjin për Prokurorinë dhe një sërë ligjesh të tjerë”- tha ai.
“Këto reforma kanë konsoliduar institucionet e vendit, kanë shkëputur Shqipërinë nga Dushku. Këto reforma kanë konsoliduar karakterin parlamentar të Republikës”- vazhdoi Berisha.
Lufta ndaj korrupsionit
Megjithë vërejtjet e ndërkombëtarëve për nivelin e lartë të korrupsionit, Berisha nuk nguroi ta kondiserojë këtë vit që po lëmë pas si vit të suksesshëm për luftën ndaj korrupsionit. “Këtë vit Shqipëria u rendit në 10 vendet që kanë bërë revolucion në luftën kundër korrupsionit dhe e para në Ballkan sa i përket kësaj lufte”- tha Berisha.
Koncesionet dhe privatizimet
Në muajin dhjetor të këtij viti Shqiptarët kanë firmosur koncesione prej 3.5 miliardë euro në shumë fusha- tha ai.
Ky vit ishte viti i privatizimeve të mëdha, ARMOS, Albtelekomit, Insigut.
Gërdeci
Berisha nuk la pa përmendur edhe çështjen e Gërdecit. Por megjithë tragjedinë e rëndë, ai e konsideroi edhe këtë një sukses sa i përket rindërtimit të zonës. Ndërkohë që për hetimet nuk u përmend asgjë.
Liria e medias
Berisha e quajti vitin që po lëmë pas të suksesshëm edhe përsa i përket lirisë së mediave. Sipas tij gjatë këtij viti nuk është rregjistruar asnjë akt dhune ndaj gazetarëve. “Ne nuk pranojmë që kundërshtitë me Shqipërinë zyrtare të mos shndërrohet në akte agresioni ndaj jush. Kjo ju garantoj se kjo qeveri do të qëndrojë me forcën më të madhe ndaj cdo cenimi që do ju bëhet gazetarëve”- tha Berisha.
Sfidat 2009
Zgjedhjet
Zgjedhjet e vitit 2009, Berisha i konsideroi si sfidë e vendit. “Do bëj çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do bëj çdo gjë që Shqiptarët në këto zgjedhje të votojnë njësoj si partnerët e tjerë europianë. Ju garantoj se ky është qëllimi më i parë për këto zgjedhje. Duke shpallur zgjedhjet si objektivin më madhor të qeverisë, ju garantoj se reformat do mbeten gjithmonë në vend të parë”- tha Berisha.
Anëtarësimi në NATO
Berisha tha se në samitin e Prillit do bëjmë çdo përpjekje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Ndërkohë që muajt e parë siç kemi deklaruar Shqipëria do të paraqesë kërkesën zyrtare për statusin e kandidatit në Bashkimin Europian. Shpresoj të gjejmë mirëkuptim, dhe të bëjmë të gjitha reformat për statusin e kandidatit”.
Kartat e identitetit dhe liberalizimi i vizave
Berisha njoftoi se sot është bërë heqja e TVSH-së si dhe disa tarifave të tjera për kompaninë që do të pajisë shqiptarët me kartat e identitetit dhe kjo do të bëjë plotësisht të mundur realizimin e objektivit brenda datës së zgjedhjeve. Berisha garantoi se me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike Shqipërisë i hapet rruga për në Bashkimin Europian.
“Kushti kryesor janë letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike. Deri tani gjithçka shkon sipas parashikimeve. Nuk bëhet fjalë për liberalizim vizash pa u pajis shqiptarët me këto dokumenta, dhe nuk shikoj ndonjë pengesë tjetër serioze pas këtij procesi”- tha Berisha.
(Orjeta Zhupa/ BalkanWeb)