E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Meta: Do të fitojmë në zgjedhjet e 2009-s

“Nuk ka alternativë tjetër që t’u garantojë shqiptarëve dinjitetin, pronat e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”, - u tha kryetari i LSI të ftuarve në një takim në Kamëz. Meta tha se, “fati i një vendi nuk mund të mbetet në dorën e dy aventurierëve 

TIRANE-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje, në një takim me banorë të Kamzës, se “kam besim të jashtëzakonshëm që LSI-ja dhe koalicioni i saj do të jetë fitues në vitin 2009”. “Nuk ka alternativë tjetër që t’u garantojë shqiptarëve dinjitetin, pronat e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”, - u tha ai të ftuarve në një takim në Kamëz. Meta tha se, “fati i një vendi nuk mund të mbetet në dorën e dy aventurierëve, që tallen, që nga Kushtetuta e deri te Prokuroria, duke bërë pazarin më të fundit të fëlliqur të dy njerëzve të papërgjegjshëm, që nuk kanë asnjë respekt për shtetin dhe për ligjin, e jo më të garantojnë dhe të sigurojnë pronat tuaja, jetën tuaj dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj”. Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së është ndalur edhe te shpërblimet e fundvitit që jep qeveria Berisha, duke i konsideruar ato qesharake dhe që nuk sigurojnë asgjë për pensionistët. Në këtë drejtim, Meta përmendi faktin se “Sali Berisha ka një vit që e mban në sirtar projektligjin e hartuar nga LSI-ja, në bashkëpunim me sindikatën e pensionistëve, për kujdesin e moshës së tretë”. “Duke qenë i bindur se vitin e ardhshëm do të kemi mundësi të takohemi shumë më pranë, jo vetëm në takime kaq të mëdha, dua të shpreh bindjen time se viti 2009 do të jetë një vit i mbarë”, - tha Meta.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›