E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, gjykata lë në burg të pandehurit

Gjykata ka lënë në burg dy të pandehurit e tragjedisë së Gjirokastrës, ku humbën jetën 3 persona. Avokatët e dy të pandehurve të firmës “Arti” sh.p.k, kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por gjykata ka vendosur ti lërë ata në burg. 

GJIROKASTESR- Gjykata e shkallës së parë në Gjirokastër, ka lënë sërish në burg inxhinierin zbatues të firmës “Arti” shpk, Luan Bufi dhe specialistin gjeolog Thanas Llahana, pas kërkesës për ndryshim të masës së arrestit kërkuar nga avokatët e të pandehurve. Seancat për rishqyrtim të kësaj kërkese, janë zhvilluar mesditën e sotme në një kohë kur pala mbrojtëse kishte informacion për disponimin e të dhënave të fundit të mbledhura në vendngjarje nga një grup ekspertësh, çka sipas tyre hedhin dritë mbi pafajësinë e Bufit dhe Llahanas. Kryesuesi i seancës gjyqësore, Pëllumb Vehbiu duke qenë se nuk u paraqit akti i ekspertëve, gjykoi se kjo procedurë do të çmohet në momentin që do të prezantohet nga organi i akuzës përmes prokurorëve të çështjes Alfred Saliu dhe Arben Pasho. Avokatët e dy të pandehurve, kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “ndjekje në gjendje të lirë” për Luan Bufin dhe Thanas Llahanan. Akti i ekspertimit i përgatitur nga një grup ekspertësh, ende nuk ishte dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës nga i cili varet fati i të pandehurve Llahana dhe Bufi. Avokatët mbrojtës të tyre Andi Duraj dhe Bernard Aliko, kishin paraqitur kërkesë për të marrë një kopje të këtij akti i cili nuk është vënë në dispozicion të tyre. Sipas burimeve tepër të sigurta, mësohet se ekspertët janë paraqitur disa herë në prokurori por ende nuk kanë dhënë ndonjë akt përfundimtar i cili do të sqaronte problemet teknike që kanë të bëjnë me raportin teknik të lëshuar nga gjeologu Thanas Llahana për ndërtimin e godinës tetë katëshe punimet e të cilës dyshohet se provokuan rënien e pallatit në lagjen “11 Janari” mesditën e 9 nëntorit duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.

(O.Zh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›