Berisha ndryshon qendrim Hetimi i zgjedhjeve jo sipas kushteve te PS-se

“Propozimi i Partisë Socialiste për sa i përket hetimit të zgjedhjeve të shkuara i ngjan atyre që mund të shkruajnë njerëzit që janë pjesë e spitaleve psikiatrike”. Ky ishte konkluzioni që kishte nxjerrë Kryeministri Berisha dhe ndau dje me grupin parlamentar të PD-së, në lidhje me propozimin prej shtatë pikash që kanë bërë përfaqësuesit e PS-së. Refuzimin për këtë draft Berisha fillimisht e justifikoi me faktin se në çdo rresht të tij, ky draft paraqiste dyshimin. “Ky propozim është i denjë për personazhe të Franc Kafkës ose të spitaleve psikiatrike. Nga 9 nene, në 8 prej tyre thuhet të hetohet dyshimi dhe në asnjë fjalë që, siç kërkon rregulli i demokracisë, siç kërkon Kushtetuta e çdo vendi të lirë, siç kërkojnë parimet më themelore të një shoqërie të lirë, siç sanksionojnë ligjet aktuale të Shqipërisë dhe të çdo vendi, siç sanksionojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të çdo vendi, vetëm dyshimi i bazuar në prova”, deklaroi Berisha. Por nga ana tjetër kreu i qeverisë theksoi se ishin vetë socialistët në komision, që me urdhër të kryetarit të tyre, hoqën dorë nga hetimi i zgjedhjeve sipas ligjeve në fuqi të vendit. Sipas Berishës, kjo tërheqje erdhi pikërisht nisur nga fakti se Rama u tremb nga rezultati i Prokurorisë së Shkodrës. “Sot ata u tërhoqën nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe nuk pranuan të diskutojnë, në përputhje me vendimin e marrë dy ditë më parë në këtë komision dhe siç ishte vendosur me unanimit në mbledhjen e Konferencës, për problematikën ndaj së cilës ne ishim tërësisht të hapur”, deklaroi Berisha. Por gjithsesi kreu i qeverisë theksoi se PS përsëri mund të paraqiste një draft, i cili do të bënte të mundur ngritjen e komisionit hetimor, por me kusht që ky draft mos të bazohej te dyshimi, por te ligjet dhe Kushtetuta e vendit. Një vëmendje të madhe Berisha në fjalën e tij, i vendosi edhe asaj që e quajti lëkundshmëria e paprecedent e kryetarit të PS-së, Edi Rama në lidhje me kërkesat për hetimin e zgjedhjeve të shkuara. Madje kreu i qeverisë nuk nguroi të tregonte edhe “sekrete” të Edi Ramës nga darka e famshme e Strasburgut mes tyre dhe drejtuesve më të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian. “Dy kryetarët e grupeve parlamentare në konkordancë të plotë, së bashku me deputetët e tjerë, i thanë se nuk mund të ketë rinumërim votash dhe bënë propozim pakete. Ai tha se këtë, unë nuk e pranoj dhe desh i ra të fikët. Jua them me sinqeritet se ndieva keqardhje, sepse tek e fundit jemi shqiptarë dhe nuk më vinte mirë që t’i binte të fikët aty. Ai u djersit, u mbush në djersë dhe tha se ‘absolutisht nuk e bëj atë’”, rrëfeu Berisha për sa i përket darkës në “Crocodile”.