Ish-kryeprokurori Nuk kishte kerkese per hetime nga Serbia
Ish-prokurori i përgjithshëm, Theodhori Sollaku, deklaroi gjatë një interviste për “Top Channel”, se shteti shqiptar i ka dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme Gjykatës së Hagës për të kryer hetimet në Shqipëri, ndërsa saktësoi se për këtë çështje nuk ka pasur asnjë kërkesë nga shteti serb. Ai tha se e ka takuar Del Ponten kur ishte në postin e këshilltarit juridik në Presidencë, duke saktësuar se prokurorja i bëri disa pyetje provokative. “Kur u bëra kryeprokuror gjeta një letër nga Haga, që kërkonte hetime dhe udhëzova kryerjen e hetimeve në Burrel”, deklaron Sollaku. Ai tha se u kryen ekspertiza me mjete moderne për ekzaminime të njollave të padukshme të gjakut dhe në fund nuk u mor asnjë kampion i tyre nga ekspertët e Hagës, për shkak se rezultonin të bagëtive të therura. “Unë mendoj se në një kohë të dytë, nëse autoritetet serbe do të plotësojnë kërkesën, do të ishte mirë që duke i dhënë rrugë kësaj letërporosie të mbyllet përfundimisht kjo çështje”, shprehet Sollaku.