E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Austri:Ekzistojnë mundësitëpër zgjidhjen e krizës

TIRANë- Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin informal të Kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore, në Salzburg të Austrisë. Në këtë takim të organizuar nga Kancelari i Austrisë, Verner Faymann, ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Dukanoviç si dhe ai i Maqedonisë, Nikolas Gruevski. Lajmi bëhet publik nga zyra e shtypit pranë kryeministrisë.

Kryeministri Berisha citohet të ketë thënë se në takimin e tij me kancelarin Faymann ka marrë mbështetje për integrimin e vendit në BE. “Pata një takim shumë të mirë me kancelarin. Diskutuam gjerësisht marrëdhëniet bilaterale, integrimin e Shqipërisë në BE dhe mora mbështetjen e tij të plotë”,- theksoi kryeministri.

Kryeministri Berisha është ndalur të bisedojë me kancelarin austriak edhe për situatën politike në Shqipëri, ku ka vënë në pah qëndrimin e bërë publik ditët e fundit edhe në media, se ekzistojnë mundësi shumë të mira në përputhje me kushtetutën për të gjetur një zgjidhje të shpejtë të krizës.

Gjatë qëndrimit në Salzburg, kreu i Qeverisë shqiptare zhvilloi disa takime dypalëshe si me homologët e Malit të Zi, Milo Dukanovic, të Maqedonisë, Nikola Gruevski dhe me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger. Kryeministri Berisha e informoi homologun malazez për situatën ekonomike në Shqipëri, e cila vazhdon të jetë entuziaste. "Shqipëria, ashtu si një vit më parë kur ishte një ndër dy vendet me rritje ekonomike në Evropë edhe këtë vit ka rritje ekonomike, e cila do të jetë edhe më e madhe", tha Berisha, duke theksuar se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend i favorshëm për investitorët e huaj, të cilët nuk e kanë ndalur interesin për të zhvilluar projektet e tyre në këtë vend.

Ndërsa në takimin me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolas Gruevski u vlerësua niveli shumë i mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Të dy kryeministrat Berisha- Gruevski mbështetën vazhdimin e bashkëpunimit në projektet konkrete midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, në mënyrë që ato të shndërrohen sa më parë në realitet.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger i ofroi gjatë takimit dypalësh Kryeministrit Berisha gjithë mbështetjen e vendit të tij për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, sikundër edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›