Berisha në Farkë, nuk i përgjigjet pyetjeve për abuzimet me tokat
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka qenë sot në Farkë për të inaguarur një ujesjelles, ndërkohë që nuk i është përgjigjur interesimit të medieve për abuzimet me tokat në këtë komunë. Muaj më parë Berisha akuzoi kreun e komunës Farkë, Fatbardh Plaku për abuzim me pronat. AbuzimetOficerët e Task-Forcës marrin në shqyrtim dokumentacionin e Zyrës së Urbanistikës së Komunës së Farkës. Tre javë më pare, një grup oficerësh kanë shqyrtuar të gjithë dokumetacionin e pronave pas denoncimeve të bëra nga banorët e zonës. Gjithçka ka nisur pas ankesave të bëra nga dy fshatarë të kësaj zone të cilët kanë ngritur pretendimin se me pronën e tyre është abuzuar. Madje këtë fakt e pohon edhe kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Sipas tij, nga shqyrtimi i dokumentacioneve ka rezultuar se gjithçka ka qenë në rregull dhe se nuk ka patur asnjë mbivendosje në hartat treguese të pronësisë të dy personave që kanë pretenduar se është abuzuar me tokën e tyre. Sipas kryetarit të Komunës, më shumë se sa denoncim faktesh, ngjarjet e tre javëve më parë kanë qenë një konflikt pronësie ndërmjet dy vëllezërve. Plaku thotë se pas përfundimit të këqyrjes së dokumentacioneve, çështja është mbyllur dhe se ankesa të ngjashme nuk ka patur në komunën që ai drejton. E ndërsa nga prokuroria është bërë e ditur nisja e hetimeve mbi abuzimet e pronave në komunat përreth kryeqytetit, Kryetari i Komunës thotë se nuk është në dijeni të këtij fakti. Ndërsa sipas prokurorisë, në këta rast kemi të bëjmë me tjetërsim dhe mbivendosjen e pronave të fshatarëve të këtyre zonave duke mos i ndarë pronat në bazë të ligjit 7051. Madje, raste të ngjashme me skandalin e tokave në Komunën e Kasharit, janë denoncuar edhe nga banorë të këtyre zonave të cilët kanë ngritur pretendimin e tjetërsimit të pronave të tyre. Ndërsa sot në komunën e Farkës, kryeministri Sali Berisha pritet të zhvillojë ceremoninë e radhës së prerjes së shiritave të veprave publike. Gjatë orëve të para të ditës, kryeministri Berisha do të inaugurojë ujësjellësin e kësaj komune.