Fermerët protestë për farat e misrit
Dhjetra fermerë kanë dalë sot në rrugët e Peqinit për të protestuar kundër farave fallco të fidanëve. Sipas tyre farat e blera te kompania Agro-Blend, e cila është e licencuar nga shteti, nuk kanë bërë prodhim duke shkaktuar miliona lekë dëme për ta. Fermerët janë kryesisht të komunës Pojav, por me ta janë bashkuar edhe fermerë të zonave përrreth. Ata kanë kërkuar me ngulm të merren masa për këtë dëm që është bërë ndaj tyre me farat e misrit. Para dy javesh ne rrethin e Matit, fermeret kane bere proteste per te njejtin problem.
Por nuk është hera e parë që fermerët hasin probleme me farat gjatë viteve të fundit. Vitin e kaluar inspektoriati i mbrojtjes së bimëve ka ushtruar kontrolle në pikat e shitjes së fidanëve, ndërsa ka konstatuar se në treg qarkullojnë fidanë jashtë standardeve që tregtohen nga persona të papërgjegjshëm.
Gjatë viteve të kaluara një numër i konsiderueshëm fermerësh ranë pre e fidanëve të fabrikuar, të pakontrolluar dhe të paçertifikuar. Nga ana e autoriteteve të kontrollit gjithmonë është lajmëruar se të gjitha pikat e shitjes dhe individët që do të rezultojnë me fidanë të paçertifikuar do të ndëshkohen me masa administrative, gjobë, deri në bllokimin e aktivitetit, por deri më sot nuk është mbyllur asnjë kompani. Gjatë vitit 2007 është konstatuar nga ana e Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve se nga rreth 7 mijë kuintalë misër që janë importuar gjatë vitit të kaluar, rreth 3 500 kuintalë prej tyre janë bllokuar pasi kanë rezultuar jashtë standardeve. Por nuk është vetëm misri por edhe farat e perimeve, si dhe fidanët frutorë. Farat e perimeve janë edhe më të shtrenjtat në vlerë, ndaj dhe tentohet që ato të futen ilegalisht në doganë. Ndërkohë që fidanët frutorë tentojnë të futen nga Serbia dhe Greqia me anë të mushkave në terrene malore.