E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Francë, do takojë Fancoise Fillon

TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha ka nisur një vizitë zyrtare në Francë në kuadër të punimeve të Kongresit të XX të PPE-së, ku ndër të tjera do të ketë edhe një takim me homologun e tij francez, Fancoise Fillon. Berisha do të marrë pjesë në Kongres në datat 7 dhe 8 dhjetor, ndërsa më 9 dhjetor do të takojë Fillon.

Kongresi XX i PPE-së do të diskutojë mbi situatën ekonomike në Evropë dhe çështjen e një forcimi politik dhe integrimi të mëtejshëm ekonomik, fiskal e social, si një përgjigje ndaj krizës ekonomike në eurozonë, ku Kryeministri shqiptar do ti drejtohet me një fjalë Kongresit në ditën e parë të punimeve të tij.

Kryeministri Berisha, gjatë ditës se dytë të Kongresit, do të marrë pjesë në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të PPE-së, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Evropian.

Ndërkaq, sipas njoftimit të kryeministrisë, më 9 dhjetor, Kryeministri Berisha do të takojë në Paris Kryeministrin e Francës Francoise Fillon, me të cilin pritet të diskutojë në lidhje me zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në lidhje me procesin e integrimit evropian.

Gjatë kësaj vizite, ai gjithashtu do të takojë ministrin francez për Energjetikën, z. Eric Besson, si dhe do të vizitojë ekspozitën Faqet e arta të fotografisë shqiptare, e çelur në Paris, në Shtëpinë Evropiane të Fotografisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›