E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: E patolerueshme arrestimi i shqiptarëve

06/12/2011  Pas Maqedonisë “Kurbani” në Korçë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi të patolerueshëm arrestimin e katër shqiptarëve në Maqedoni. Gjatë promovimit të librit të tij “Kurbani” në Shkup, kreu i socialistëve, Rama, komentoi arrestimin e katër të rinjve shqiptarë ditën e festës së pavarësisë, pasi vizatuan një hartë të Shqipërisë etnike në Tetovë. “Çdokush ka të drejtë të vizatojë harta. Mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të shkruaj: «Kjo është republika ime». Dhe çfarë të bëjmë? Ta dërgojmë në Hagë dhe ta akuzojmë për krime kundër gjithë botës? Çfarë janë këta barbarë, primitivë? Kjo është e patolerueshme”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij lidhur me një çështje të tillë. Ndërkohë gjatë vizitës së tij në Maqedoni kryetari i PS-së zhvilloi takime të veçanta me kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi. “Biseduam gjerë e gjatë mbi Shqipërinë, mbi Maqedoninë, marrëdhëniet mes nesh, mes partive tona, por dhe mbi librat”, - u shpreh Rama pas takimit me kreun e BDI-së Ahmeti. Ndërsa kreu i PDSH-së, Thaçi, garantoi kreun Rama se “do ta lexoj librin, pasi nuk jam prej atyre që nuk i lexojnë librat”. Pas përfundimit të vizitës së tij në Maqedoni kreu i socialistëve është ndalur në Korçë, ku gjatë promovimit të “Kurbanit” nuk ka harruar të lëshojë batutat e radhës. “Edhe ata që e sulmojnë librin, nuk janë mërzitur me të. Ky është një libër për të ardhmen, nuk është libër kujtimesh. Është lakuriqësi që ka brishtësi. Se unë nuk e kam herën e parë që zhvishem, por kjo është e një lloji tjetër”, - u shpreh Rama përpara të pranishmëve në sallë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›