E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rrëzon ankimin për ligjin e gjendjes civile

06/12/2011  Zbardhet vendimi i djeshëm, ku rrëzohet padia e tri gjykatave të shkallës së parë

Vendimi: Termi “kombësi” në ligjin për gjendjen civile është i papajtueshëm

Gjykata Kushtetuese, ka shfuqizuar nenin 58 të ligjit “për gjendjen civile” si të papajtueshëm me kushtetutën. Ky është neni në bazë të të cilët mjafton një vendim gjykate dhe mund të ndërrosh kombësinë. Kërkesa për interpretimin e këtij neni është bërë nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër dhe Gjirokastër. Me shumicë votash, togat e zeza u shprehën për shfuqizimin e këtij neni si të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese me këtë vendim rrëzon në këtë mënyrë dispozitën që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë në ligjin e gjendjes civile, duke e cilësuar atë antikushtetuese. Vendimi i formës së prerë, që hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare, u zbardh dje në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi

Kushtetuesja në vendimin e djeshëm vendosi se termi “kombësi” në ligjin “Për gjendjen civile” është i pajtueshëm, pasi bie në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se termi cenon parimin e sigurisë juridike, pasi nuk mbron të dhënat personale. “Gjykata çmon se rregullimet e ligjit për gjendjen civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm Gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për gjendjen civile cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës. Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e Gjykatës, shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mosdetyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale sensitive, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës”, - thuhet në vendimin e Kushtetueses. Në argumentet e saj Gjykata Kushtetuese theksoi gjithashtu se Kushtetuta shqiptare nuk ka një përkufizim të qartë për termin “kombësi” apo termin “pakicë kombëtare”, edhe pse këto terma janë të përfshira në dispozita kushtetuese.

Ankimi i Gjykatës së Sarandës dhe të Shkodrës

Para disa muajsh gjykata e rrethit gjyqësor të Sarandës, të Përmetit dhe Shkodrës, që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shpallur si të papajtueshëm me nenet 16/1, 17, 19, 20 dhe 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit “kombësi”, të përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termit “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, të përcaktuar në nenin 42/2, germa ‘e’; gjendjen civile. Ankesa në gjykatën Kushtetuese u bë pasi gjykatat e mësipërme vërejtën se gjendjet civile në mënyrë abuzive dhe të pasaktë kishin ndryshuar kombësinë e shtetasve shqiptarë. Por vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi mori në shqyrtim padinë e bërë nga gjykata e Sarandës, e Përmetit dhe e Shkodrës dhe pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Sokol Berberin, subjektet e interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, vendosi në favor të paditësve, duke u deklaruar pro shfuqizimit të termit “kombësi”. Në pretendimet e tyre tri gjykatat e shkallës së parë në vendin tonë shprehen se ligji “Për gjendjen civile” cenon rëndë parimet kushtetuese, duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›