E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Topi të ndarë në ditën e krijimit të Ushtrisë

06/12/2011  Presidenti dhe kryeministri shmangin takimin duke u paraqitur në orare të ndryshme në Akademinë e Mbrojtjes

Dita e krijimit të ushtrisë shqiptare është festuar dje veçmas nga krerët e shtetit shqiptar. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti Bamir Topi, dhe kreu i qeverisë janë paraqitur në orare të ndryshme nga njëri-tjetri në Komandën e Doktrinës dhe të Stërvitjes në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre në 99-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në panelin e zhvilluar në Komandën e Doktrinës dhe të Stërvitjes, në prani të ushtarakëve të Forcave Tokësore dhe Detare, që marrin pjesë në Kursin e Lartë të Oficerit, Presidenti Topi, duke uruar të gjithë ushtarakët shqiptarë në këtë 99-vjetor të krijimit të Forcave të Armatosura mbajti një ligjëratë me temë: “Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë. Rasti i Shqipërisë, i rajonit dhe më gjerë”. Në fjalën e tij kreu i shtetit e vuri theksin te rëndësia e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. “Shqipëria e ka merituar dhe vazhdon ta meritojë përpara disa vendeve të tjera, sepse të mos harrojmë se vetëm në vitet ’90, në fundin e viteve ’90, në ish-Jugosllavi vijoi të aplikohej gjenocidi nga kasapi i Ballkanit. Ndërkohë që Shqipëria bënte reforma, ishte e orientuar totalisht nga Perëndimi, u anëtarësua me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, vazhdoi të punonte në një rrugë graduale për t’u integruar në strukturat e NATO-s, ndërkohë që vendet e tjera, që besoj se edhe sot e kësaj dite, ju e dini, janë vende të caktuara të rajonit ballkanik, ende ka debate të forta”, - tha Topi. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara me rastin e 99-vjetorit të krijimit të Ushtrisë Shqiptare, gjatë ditës së sotme ceremonitë vijuan edhe në Komandën e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, si dhe në Komandën e Mbështetjes Logjistike, Rajonale, Baza Ushtarake etj., ku prej vitesh kanë shërbyer e shërbejnë si ushtarakë të Forcave të Armatosura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›