Pronësia, granatë shtëpisë së fqinjit
Një shpërthim granate ka tronditur lagjen 13 në Durrës, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Sipas policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate në hyrje të një banesës së familjes S. Duro. Mësohet se në momentin e shpërthimit, 5 pjesëtarët e familjes kanë qenë në gjumë dhe asnjë prej tyre nuk ka pësuar dëmtime fizike.
Pas hetimeve paraprake të policisë, doli se shkak i shpërthimit kanë qenë konfliktet e pronësisë së familjes Duro me fqinjin e tyre. Dy familjet ishin në konflikt prej kohësh në lidhje me truallin e shtëpisë së dëmtuar nga shpërthimi. Sipas fqinjëve, palës së dëmtuar i është ushtruar prej kohësh presion i vazhdueshëm për të braktisur shtëpinë, e cila është në proces legalizimi.
Ky është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër ku 2 banesa në zonën e plazhit janë dëmtuar me tritol. Rreth 500 m larg kësaj banese i është vënë tritol edhe familjes se një emigranti dhe deri tani autorët kanë mbetur të panjohur. / Mark Brunga