E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kandahar, vizita e parë tek ushtarët shqiptarë

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Afganistan në vizitën e parë që shefi i qeverisë u bën trupave shqiptare të vendosura atje prej disa vjetësh, si pjesë e aleancës së Atlantikut të Veriut.

Vizita blic e kryeministrit Berisha në Kandahar, ku ndodhen trupat komando shqiptare me mision luftimi është mbajtur sekret për arsye sigurie. Përveç takimit me ushtarakët shqiptarë, në axhendën e kryeministrit ishin shënuar edhe takime me drejtues të lartë të komandës së NATO-s në Afganistan, por ende nuk bëhen të njohura detaje të axhendës, e cila mbetet e papublikuar, edhe kjo për arsye sigurie.

Trupat shqiptare me mision paqeruajtës, por veçanërisht ata me mision luftimi kanë marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga shtabi qendror i NATO-s në Afganistan.

Vizita e kryeministrit Berisha në Afganistan vjen pak kohë pas humbjes se kapiten Feti Voglit në krye të detyrës dhe plagosjes së nëntetar Aleksandër Peçit gjatë një operacioni paqeruajtës në Kandahar. Pritet që pamjet e vizitës blic të kryeministrit Berisha në Afganistan të bëhen publike sot, pas kthimit të tij në Tiranë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›