E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kongresin e EPP: Do bëjmë fushatë paqësore

Kryeministri Berisha ka mbajtur sot një fjalim në Kongresin Statutor të Partisë Popullore Europiane (EPP).

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha premtoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen të lira dhe të ndershme.

“Unë e ndihej se votuesit janë shumë të lumtur për arritjet. Unë iu ftoj ju zoti kryetar të vini në vendin tim dhe do të shihni një fushatë që do të jetë nga më të bukurat, do të jetë një fushatë paqësore dhe bindëse” tha Berisha.

Kryeministri Berisha ka vlerësuar edhe arritjet që ka bërë Shqipëria në vitet e fundit por shtoi se vendi ynë po përballet me vëshirësi si pasojë e krizës në Eurozonë.
 

“20 vite më parë, Shqipëria ka qenë ndër vendet më të varfra në botë ndërsa sot ajo renditet në një nga vendet me të ardhura të mesme të larta. Sot, Shqipëria ka një prej administratave më të vogla dhe është një vend me taksa të ulta. Ajo gjithashtu ka direktiva të përcaktuara për investimet për të ardhmen. Vendi im ende përballet me vështirësi si pasojë e krizës. Ne nuk jemi në Eurozonë, por sistemi ynë bankar i përket kësaj zone” tha Berisha.
 

Shefi i qeverisë gjithashtu vlerësoi edhe tolerancën fetare që mbizotëron në Shqipëri si një vlerë e çmuar në kulturën e vendit.  "Shqipëria mban presidencën 6-mujore të radhës së Këshillit të Evropës dhe ne kemi zgjedhur moton "Të bashkuar në Diversitet". Edhe pse Shqipëria është vend laik besimet fetare respektohen” shtoi Berisha.
 

Gjithashtu Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga ambasada shqiptare në Bukuresht, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ai do të zhvillojë një takim me përfaqësues të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, si dhe të atyre që firmosën deklaratën e pavarësisë.

Kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore tek Kisha “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, kisha që ka qenë në shërbim të shqiptareve në vitet 1911-1945 dhe ku ka dhënë meshën në gjuhën shqipe Fan S. Noli.

Gjatë këtyre takimeve, kryeministri Berisha do të shprehë mirënjohjen e thellë, për kontributin e rëndësishëm që komuniteti shqiptar në Rumani ka dhënë për pavarësinë e Shqipërisë dhe në lëvizjen kulturore shqiptare, duke u bërë një vatër e fuqishme e kësaj lëvizjeje dhe e shoqatave të shquara kulturore të atdhetarëve shqiptarë, për afirmimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit të kombit shqiptar.

Më herët kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me ish ministrin italian Franco Frattini, zëvendës kancelarin dhe ministrin e jashtëm të Austrisë Spindelegger dhe kryeministrin e Finlandës zotin Jyrki Katainen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›