E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Austria, kontribut të çmuar në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë

18-10-2012 / Gazeta 55

Parlamenti i Austrisë voton për kthimin e armëve të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Shqipëri

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli falënderon parlamentin e Austrisë për votimin e marrëveshjes për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjatë ceremonisë zyrtare të çeljes së Ditëve “Shqipëria 100 vite Pavarësi; Marrëdhëniet shqiptaro- austriake”, ku ishte i pranishëm edhe ish zëvendëskryeministri i Austrisë, Erhard Busek, si dhe deputetë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme, Topalli shprehu kënaqësinë e veçantë që ky aktivitet zhvillohet në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e pazëvendësueshëm që Austria ka dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar.
Në këtë ceremoni Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje figurat e ndritura të Albanologjisë, personalitetet austriake si Norbert Nohel, Johan George, etj, të cilët ndërtuan një imazh krenarie për shqiptarët, vlerat dhe traditat e tyre historike, aspak të njohura në atë kohë për Evropën.
“Kjo miqësi historike, tha Kryetarja e Kuvendit është thelluar në 20 vitet e fundit, është konkretizuar dhe përkthyer në terma konkretë suksesi, financiarë ekonomik, diplomatik politikë”.
Jozefina Topalli theksoi se, “miqësia midis dy shteteve tona, midis dy popujve tanë është e shkëlqyer dhe ashtu siç thotë edhe kryetarja e Parlamentit të Austrisë Prammer, rrënjët e tyre qëndrojnë që në monarkinë Austriako-Hungareze”.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi Parlamenti Austriak dhe kryetaren e tij, Barbara Prammer për miratimin që ata dhanë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilat ndodhen në Muzeumin e Vjenës. “Dua të falënderoj qeverinë, Parlamentin, popullin austriak për mbështetjen e vazhdueshme historike që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ta festojmë këtë sukses të madh, këtë miqësi të madhe që ne kemi në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë sonë, që është ditëlindja jonë më e shenjtë, më e dashur dhe më e bukur”, tha Kryetarja e Kuvendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›