E Diel, 1 Nëntor 2026

“Marrja e statusit proces merite - Shqipëria përfiton më 2013, 80 milionë euro”

18-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i prezencës së BE-së, Ettore Sequi inkurajim që Shqipëria të plotësojë reformat

Kreu i prezencës së BE-së, Ettore Sequi vlerësoi se marrja e statusit të vendit kandidat në BE bazohet në një proces merite, ndërkohë nënvizon se më e rëndësishme se përfundimi i reformave është procesi që dërgon tek ajo. “Në përgjithësi procesi i integrimit është një proces i bazuar në meritë dhe të gjithë vlerësohen në bazë të meritave të tyre, por më duhet të them se propozimi që ka bërë KE që Shqipërisë ti jepet statusi i vendit kandidat është një inkurajim që Shqipëria të plotësojë reformat. Por, e rëndësishme nuk është vetëm përfundimi i reformave por procesi si përfundojnë”, deklaroi Sequi.
Në një prononcim për mediat kreut i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë theksoi se  Shqipëria do ketë me marrjen e statusit të vendit kandidat përfitime fondesh. 
“Fondet që BE i jep Shqipërisë janë fondet IPA apo instrumentet para aderimit që ndihmojnë një shtet të ecë përpara. Që do thotë se Shqipëria ka mundësi dhe përfiton nga këto fonde. Për shembull nga 2007 deri tani Shqipëria ka fituar rreth 500 milionë euro, dhe po ashtu që nga fillimi i vitit që vjen unë do nënshkruaj me ministren e Integrimit Majlinda Bregu për 80 milionë euro të tjera. Sa i përket këtyre fondeve IPA Shqipëria ka përfituar nga dy komponentët e parë. Shqipëria do jetë në gjendje që autoritetet shqiptare të menaxhojnë të gjitha kontratat që menaxhohen nga delegacioni i BE. Ky proces kalon në fazën e certifikimit, merret vendimi nga Komisioni Europian se sa gati është Shqipëria të menaxhojë kontratat e vlerës si 80 milionë euro që do jetë në 2013. Kjo nuk ka lidhje me Statusin e vendit kandidat, por është tregues që reformat po funksionojnë”, theksoi Sequi. Gjithashtu ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ka komentuar grevën e ish- të përndjekurve. Sequi ka bërë apel që grevistët të ndalojnë aktet ekstreme, ndërkohë që bëri thirrje që të nisë dialogu. Teksa ka evituar komentimin e lajmit të fundit, ku gjykata me një vendim vendosi shpërndarjen e grevës, ambasadori Sequi apeloi që të ndalohen aktet ekstreme të vetë-djegies, ndërkohë që ftoi palët të ndjekin parimet e BE-së për zgjidhjen e situatës, siç është dialogu dhe gatishmëria për të dëgjuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›