E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kazermat dhe pronat jashtë planit, janë prona publike”

18-10-2012 / Gazeta 55

Ministria e Mbrojtjes reagon ndaj deklaratave të PS

Ministria e Mbrojtjes reagoi dje lidhur me akuzat e Partisë Socialiste, duke sqaruar opinionin publik lidhur me veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Përmes një deklarate për shtyp, kjo ministri bëri me dije se procesi i transformimit të vazhdueshëm të FA-së, i cili zhvillohet që prej dy dekadash, ka ndikuar ndër të tjera edhe në inventarin e pronave në përdorim të Forcave të Armatosura.
Drejtori i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes, kolonel Vladimir Avdia thekson se “reduktimi i vazhdueshëm dhe shumë i thellë i Forcave të Armatosura, eliminimi i shërbimit të detyrueshëm dhe kalimi në forcën plotësisht profesioniste dhe vendosja e standardeve të reja të NATO-s kanë sjellë si rezultat edhe reduktimin e ndjeshëm të numrit të kazermave ushtarake në Shqipëri. Nga një ushtri e përhapur në disa mijëra pika hapjeje në të gjithë territorin e vendit, sot FA janë përqendruar në një numër shumë herë më të vogël kazermash dhe instalimesh ushtarake”.
Në deklaratën e dikasterit të Mbrojtjes, kolonel Avdia bëri të ditur se Shtabi i Përgjithshëm i FA për të mbështetur realizmin optimal të misionit kushtetues, në pajtim me legjislacionin përkatës, të gjitha kazermat dhe instalimet ushtarake që mbështesin konceptin e përdorimit efikas operacional të FA miratohen nga Presidenti i Republikës me dekret të veçantë. “Në të gjithë këtë proces transformimi, roli i Shtabit të Përgjithshëm ka qenë dhe mbetet përcaktimi i kazermave dhe instalimeve të tjera ushtarake, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të mbështetur realizmin optimal të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura. Të gjitha kazermat dhe instalimet ushtarake që mbështesin konceptin e përdorimit efikas operacional të FA, në pajtim me legjislacionin përkatës, miratohen nga Presidenti i Republikës me dekret të veçantë, dekret i cili përcakton Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes së Forcave të Armatosura. Kazermat, instalimet dhe pronat e tjera ushtarake, që mbeten jashtë këtij plani, konsiderohen më tej si prona publike dhe trajtohen nga institucionet e parashikuar me ligj, të cilat bëjnë dhe administrimin e tyre”, vijoi kolonel Avdia.
Gjithashtu në përmbushje të detyrave të tij, Shtabi i Përgjithshëm i FA-së informon se ka synuar dhe synon të planëzojë dhe të zhvillojë më tej ato kazerma dhe instalime ushtarake që kanë rëndësi për përmbushjen e misionit të FA, ndërkohë që ka propozuar për të nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes të gjithë ato elementë infrastrukturorë, të cilët jo vetëm nuk i shërbejnë më funksionimit dhe përdorimit operacional të Forcave të Armatosura, por përbëjnë edhe konsumatorë të konsiderueshëm burimesh njerëzore, materiale dhe financiare.
Në përfundim drejtori i operacioneve dhe stërvitjeve kolonel Avdia ka nënvizuar se “transferimi i gjithë kazermave apo instalimeve të tjera ushtarake, që nuk përputhen më me konceptin e përdorimit operacional të FA, tek autoritetet publike që janë përgjegjëse me ligj, përbën jo vetëm një detyrim, por edhe një prioritet pune për Shtabin e Përgjithshëm të FA-së. Përmes këtij transferimi Shtabi i Përgjithshëm i FA synon që të rrisë më tej kapacitetet operacionale të FA në shërbim të misionit të tyre, si dhe të ulë barrën e panevojshme administrative, materiale dhe financiare që rëndon mbi Forcat e Armatosura”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›