E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Konventën e PR-së: “Mediu dha kontribute për anëtarësimin në NATO”



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur dje Konventën e Partisë Republikane. Në fjalën e mbajtur në këtë takim Berisha vlerësoi në veçanti kontributin e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, si ministër i Mbrojtjes në reformat e ndërmarra për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj kryetarin tuaj, z. Fatmir Mediu. Unë dua ta falënderoj me mirënjohje sepse jam dëshmitar i kontributit të veçantë dhe të rëndësishëm që kryetari juaj ka dhënë në projektin më madhor të këtij kombi, pas pavarësisë së Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Fatmir Mediu ishte një nga të parët ministra dhe drejtues që i besoi mundësisë së shndërrimit në realitet të atij projekti, në një kohë kur besimet për të ishin në nivelet minimale”, - është shprehur Berisha. Duke e konsideruar PR-në si një ndër aleatet më të besuara të PD-së, Berisha vlerësoi bashkëpunimin e këtyre dy partive në koalicionin qeverisës. “Mendoj se këto katër vite, në një koalicion të përsosur, ishin vitet e transformimeve më të mëdha të këtij vendi. Ne vijmë sot në Konventën tuaj pasi kemi realizuar projekte që katër vite më parë na dukeshin të largëta dhe që ishin vërtet shumë të vështira. Por në këto katër vite, me seriozitetin tonë, me përkushtimin tonë, me djersën tonë, me ndihmën e miqve tanë, ne bëmë që Shqipëria të jetë anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave, anëtare e NATO-s. Ne në këto katër vite bëmë që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila vetëm për të hapur negociatat, për shkak të murit të krimit dhe korrupsionit që ndërtonte regjimi i mëparshëm, Shqipërisë i mori tri herë e gjysmë kohë më shumë sesa fqinjëve të saj”, - është shprehur Berisha. Ai garantoi se në qendër të punës së qeverisë së ardhshme do të jetë zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronësisë duke hetuar të gjitha rastet e grabitjes së pronës. “Nuk e mohoj që janë mijëra e mijëra dosje ende të pazgjidhura, ndaj dhe të zotohemi sot së bashku se do të rendim pas gjithsecilës prej tyre, sepse ne kemi moralin, kemi përkushtimin dhe kemi zotimin të shkojnë në zgjidhjen e secilës prej tyre. U ndeshëm me një mal falsifikimesh, të cilat mbartin në vetvete grabitje dhe plaçkitje të mëdha. Unë ju garantoj se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje deri në zgjidhjen e dosjes së fundit të problemit të pronësisë”, - është shprehur Berisha.
Ndërsa presidenti i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, kërkoi që republikanët të përfaqësohen sërish me poste në qeverinë e ardhshme.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›