E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Të krijohen më shumë hapësira për përfshirjen e femrave në politikë”

“Kuota 30% është e vogël dhe mekanike, duhet më shumë”. Uidhers: “Nuk ka vendimmarrje të qëndrueshme pa rolin e grave”

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, i drejtuan një apel politikës shqiptare për krijimin e hapësirave më të mëdha për përfshirjen e femrave në politikë. Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në programin e NDI-së “Zhvillimi i liderëve të rinj në politikë – gratë në advokim”, presidenti Topi u shpreh se kuota prej 30 pqrqindësh e përcaktuar në Kodin Elektoral është mekanike dhe kërkohet më shumë në këtë drejtim. Ndërsa Uidhers u shpreh se nuk ka vendimmarrje të qëndrueshme pa pjesëmarrjen e gruas në këtë proces. Presidenti Topi, gjatë fjalës së tij, iu referua dhe incidentit të ndodhur pak ditë më parë para Kryeministrisë, ku një person dhunoi dy gra të verbra, duke kërkuar që të mos lejohen incidente të tilla dhe gratë të ngrenë zërin lart kundër dhunës.
Thirrja
“Unë do ta quaja të papranueshme që asnjë zë femre, asnjë zë nga zonjat, të mos prononcohet për ngjarjen e shëmtuar të dhunimit të dy grave pranë një institucioni shtetëror, pikërisht mbi një kategori që nuk ka nevojë t’i themi kategoria e njerëzve në nevojë, të të verbërve. U bëj thirrje institucioneve që kanë përgjegjësi ndaj Kushtetutës dhe ligjit, në radhë të parë zonjave, të cilat duhet të kenë ndjeshmërinë ta denoncojnë publikisht! Nuk është problemi i një individi, i cili duhet të përballet me drejtësinë. Mos prisni të ndihmoheni nga psikologjia maskiliste kur nuk e gjeni këtë klimë midis jush! Kështu që unë ju bëj thirrje të keni solidaritet, ta ndihmoni njëra-tjetrën”, - është shprehur presidenti Topi. Ai kërkoi që femrat të jenë pjesë e një debati elegant dhe jo të ashpër, ashtu sikurse janë debatet midis burrave. “Edhe pse përfaqësoni kampe të ndryshme, duhet që dialogu juaj, debati juaj të jetë shumë elegant dhe të mos jetë i ngjashëm me debatin e ashpër që bëhet midis politikanëve burra”, - ka kërkuar Presidenti i Republikës. Duke iu referuar përfshirjes së grave në politikë, presidenti Topi u shpreh se vlerëson sistemin proporcional pasi siguron më shumë hapësira për gratë, ndërsa shtoi se është e nevojshme që këto hapësira të mos vendosen mekanikisht, por të vlerësohen realisht kontributet që sjell prania e gruas në shoqëri dhe në politikë.
“Nuk kam qenë i lumtur që është vendosur një shifër 30%, absolutisht. Nuk është mirë të vendosim standarde mekanike. Puna është të krijojmë kushte, të krijojmë hapësira që konkurrimi të jetë i lehtë, i lehtë edhe për gratë. Ligji proporcional sigurisht që e favorizon këtë punë, sepse ligji maxhoritar, pavarësisht përfaqësimit që kishte, i vendoste zonjat në një pozicion të diskriminuar”, - është shprehur Topi. Më pas ai iu referua emërimeve të tij në postin e Presidentit të Republikës duke përmendur shumë raste të emërimit të femrave në poste të larat drejtuese si prokuroren e Përgjithshme apo anëtare të Gjykatës së Lartë. “Unë që vij sot këtu për të folur, pa dyshim kam se çfarë t’ju them, sepse me detyrimin tim institucional ju siguroj që në emërimet që kam pasur për të bërë kam emëruar më shumë zonja, sesa zotërinj. Kjo është e dukshme, disa gjëra ne i kemi dhe duhet të citohen. Vetëm në Gjykatën e Lartë ka më shumë emërime të zonjave, sesa të zotërinjve. Emërimi i kryeprokurores në krye të një institucioni që konsiderohej tabu. Emërimi i një zonje në krye të Gjykatës Kushtetuese. Emërimi i një zonje në krye të Gjykatës së Lartë. Emërimi i zonjave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pra, unë nuk e kam bërë këtë në mënyrë të sforcuar. Nuk e kam bërë për ekzibicion. E kam bërë sepse roli i gruas është jetik për shoqërinë tonë”, - është shprehur Topi.
Ambasadori
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, duke përshëndetur takimin “Liderët në politikë”, ka deklaruar se “asnjë zgjidhje në politikë nuk është e gjatë dhe e qëndrueshme nëse nuk ka një grua brenda saj”. Duke folur për çështjen e përfaqësisë së femrave në politikë, ai tha se nuk po flasim për një vendosje të saj si kukull në drejtimin e një bordi apo drejtorie, por të trajtohet si e barabartë. “Ato duhet të kenë të njëjtat mundësi si edhe burrat për të ngjitur shkallët e karrierës”, - tha ndër të tjera Uidhers. “Rritja e gruas në politikë zgjidhet me fjalën “pjesëmarrje”, e cila do të thotë konkretisht të jesh aktive”, - tha ambasadori amerikan. Sipas tij, femrat duhet t’i çojnë më tej ato kapacitete, në mënyrë që gruaja të jenë e barabartë me burrat. “Ndihem i inkurajuar nga puna që po bëhet për të rritur praninë e grave në politikë, shumë përparim është bërë, por mbetet edhe shumë për të bërë. Edhe në Shtetet e Bashkuara ekziston ky problem, në Senat për shembull, nga 100 meshkuj, ka vetëm 17 femra, kur ato përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë së SHBA-ve”, - shtoi më pas përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›