Bie me 0.4 për qind indeksi i kushtimit në ndërtim
Për herë të parë zyrtarisht pranohet edhe nga INSTAT-i ulja e ritmeve në sektorin e ndërtimit, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Në tremujorin e parë të vitit 2009, indeksi i kushtimit në ndërtim arriti në 128,5 për qind (Trem.IV 1999=100), duke shënuar një rënie 0,4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, indeksi i kushtimit në ndërtim ka shënuar një rritje 0,9 për qind, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 0,7 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është ulur 0,5 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi, uljen më të madhe e ka shënuar indeksi i çmimeve të nëngrupit ”shpenzime materiale”, me 1,1 për qind, ku përmendet ulja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, me 1,3 për qind. Indekset e nëngrupeve “shpenzime për paga” dhe ”shpenzime transporti” kanë shënuar rritje përkatësisht prej 1,7 për qind dhe 2,9 për qind. Sipas INSTAT-it, në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndryshimet në indekset e çmimeve të grupeve të tjera variojnë nga -0.2 % në 0.1 %.
Ndërtuesit i thonë “jo” qeverisë për uljen e çmimeve
Ndërtuesit i janë përgjigjur negativisht kërkesës së qeverisë për uljen e çmimeve të banesave. Zyrtarisht, ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, zoti Sokol Olldashi, u kërkoi firmave të ndërtimit që të ulnin çmimet e shitjes së apartamenteve në Tiranë. Kjo kërkesë mori kundërpërgjigje nga pronarët e kompanive të ndërtimit që kërkuan uljen e TVSH-së për lëndët e para dhe rishikimin e disa vendimeve që lidheshin me referencat e pagave dhe çmimeve. Qeveria, për të ndihmuar sektorin e ndërtimit, shfuqizoi marrëveshjet e trashëguara nga qeveritë e mëparshme dhe hoqi aplikimin e TVSH-së për shitjet.
ÇMIMET E BANESAVE NË TIRANË
Vendi Çmimi (euro/m2)
Unaza e Re, Kombinat 380-530
Stacioni i Trenit 870-1200
Rruga Bardhyl 700-850
Lapraka 510-700
Kombinati 560-780
Shkolla e Bashkuar, Porcelani 530- 760
Kinostudio 450 - 600
Shish-Tufinë 400 - 480
Zona e Bllokut, pallatet “Agimi” 1500 - 2000
Garda, Kopshti Botanik 1800 - 2000
Pishinat, Komuna e Parisit 750 - 850
Uzina e Autotraktorëve 500-600
Unaza, Materniteti i ri, Medreseja 650-800
Blloku, Liceu, Rr. e Elbasanit 1400-2000????????????
Rruga e Elbasanit 1100-1800
Min. Jashtme, Q. Studenti, Rruga e Dibrës 1100-1500
Ish-Ekspozita 1500 - 1800
Rr. “Myslym Shyri” 880 - 1600
Rr. “Don Bosko” 600 - 740
21 Dhjetori, Zogu i Zi 900 - 1400
Rruga e Kavajës 1250 - 1750
Pazari i Ri 720 - 900
Rr. Durrësit 1280 - 1800
27 Maj 2009