E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli përshëndet Asamblenë Parlamentare të NATO-s: “Sfida jonë, liberalizimi i vizave”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka përfaqësuar Shqipërinë dje në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku mori pjesë si anëtare me të drejta të plota në aleancën më të madhe të lirisë dhe sigurisë në botë. Si përfaqësuese e Shqipërisë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajti fjalën në punimet e Asamblesë në Oslo të Norvegjisë, duke e cilësuar këtë takim si historik jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë aleatët. Në fjalimin e saj drejtuar përfaqësuesve të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Shefer, presidentit të Asamblesë Parlamentare, Xhon Taner, kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria, nga vendi i izolimit komunist është kthyer në vendin e transformimeve të mëdha dhe aspiratave integruese. “Anëtarësimi në NATO nuk është konsideruar si dhuratë, por si fryt i përpjekjeve të suksesshme të bëra në vitet e fundit, po aq edhe një kapitull i ri detyrimesh dhe sfidash”, - është shprehur Topalli. Më tej, kryetarja e Kuvendit theksoi se zgjedhjet politike të 28 qershorit do të plotësojnë të gjitha standardet, duke treguar se Shqipëria është një anëtar i denjë i NATO-s. Ajo i ftoi vendet aleate të monitorojnë këtë proces, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga përfaqësuesit e këtyre vendeve. Gjatë fjalës së saj Topalli u shpreh se tashmë sfida e Shqipërisë është liberalizimi i vizave me vendet anëtare të BE-së dhe vazhdimi i reformave për procesin integrues të Bashkimin Europian. “Por një mur tjetër duhet të shembim, së bashku me vendet mike. Murin e Shengenit. Ky është fokusi i politikës sonë të jashtme, kjo është ambicia jonë dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj. E ndiej që edhe kësaj radhe ju do të na mbështesni, do të mbështesni një popull që u izolua tërësisht nga e gjithë bota për 50 vjet. Një popull që një të tretën e tij e ka sot jashtë kufijve të Shqipërisë”, - është shprehur Topalli.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›