E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe në kohë krize nuk lëvizin çmimet e apartamenteve në kryeqytet

Të dhënat e çmimeve sipas zonave të ndryshme në Tiranë. Reagon Shoqata e Ndërtuesve: “Nuk do të ketë ulje”

Në fillimin e këtij viti u duk sikur do të ketë ulje të çmimeve të apartamenteve në kryeqytet, por muajt në vazhdim nuk e reflektuan një gjë të tillë, pavarësisht krizës ekonomike botërore dhe problemeve që ka sektori i ndërtimit. Duke vëzhguar të dhënat që ofrojnë agjencitë e ndryshme të tregut imobiliar, sipas zonave të ndryshme në kryeqytet, nuk duket se ka rënie të vlerës së banesave, ndonëse në fundin e vitit që shkoi pati një rënie mbi 8 për qind në disa zona periferike të Tiranës. Ndërhyrja e shtetit në këtë treg, duke deklaruar se do të hyjë me një skemë kreditimi për strehimin, me 6000 banesa, duket se e ka mbajtur gjallë këtë sektor, që po kalon probleme financiare që prej fundit të vitit 2007.
Mosuljen e çmimeve të apartamenteve ndërtuesit e justifikojnë me koston e lartë që kanë lëndët e para, si çimentoja, betoni, tullat, hekuri etj., të cilat janë rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare. Në anën tjetër, pronarët e pallateve të reja që presin për t’u shitur, nuk po gjejnë treg as tek emigrantët, të cilët përbëjnë mbi 70 për qind të tregut të blerjes.
Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovia, “çmimet e apartamenteve nuk kanë rënë, por vazhdojnë të mbeten të pandryshuar. Kjo për faktin se ato nuk varen nga faktorë të tjerë, siç janë bankat, sektori imobiliar, por edhe vetë pronarët e shtëpive”. Përveç këtyre fakteve, ndërtuesit thonë se problem për ta janë bërë edhe mungesa e kreditimit nga bankat, e likuiditetit, si dhe mangësitë legjislative.
Ulje në periferi
Të vetmet zona ku mund të pretendohet ulje e mëtejshme e çmimeve janë ato në periferi të Tiranës, ku realisht çmimet kanë qenë disa herë më të ulëta se në zonat e luksit të kryeqytetit. Zona më e shtrenjtë është ajo e ish-Bllokut, Tiranës së Re, Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit etj., ku çmimet luhaten nga 1000-2000 euro/m2. Aktualisht, duke u bazuar në të dhënat e agjencive, por edhe të ekspertëve, çmimi në periferi mbahet në nivelin e 380 euro/m2. Ndërtuesit nuk pranojnë të zbresin poshtë këtij çmimi, duke e justifikuar një gjë të tillë me kostot. Me këtë çmim janë zonat e Farkës, Kasharit, Dajtit apo Yzberishit. Maksimumi i çmimit arrin në 500 euro për metër katror. Disa nga firmat kryesore që operojnë në ndërtim kanë lajmëruar në formën e promocionit ulje nga 30-40 euro për metër katror.
Shkaqet
Ndërtuesit thonë se materialet e shtrenjta të ndërtimit, përqindja mbi truallin që u takon pronarëve të tij si dhe mjaft shpenzime të tjera konkludojnë në një kosto të lartë prodhimi. Në zonat periferike, kostoja e 1 m2 apartament përllogaritet të arrijë deri në 300 euro, pasi jo vetëm vlera e truallit është më e lirë, por edhe materialet me të cilat ndërtohen pallatet përzgjidhen me çmim të ulët. Ekspertët e tregut të shitjes së pasurive të patundshme thonë se nuk do të ketë ulje të çmimeve të apartamenteve. Periferia vazhdon të mbajë çmime shumë pranë kostos dhe tani mbetet që në rritet oferta. Ndërkaq, në qendër të kryeqytetit oferta vazhdon të mbetet e pandryshueshme, pra thuajse në ato nivele që ka qenë edhe më parë. Ky është mendimi i vetë ndërtuesve, të cilët thonë se problemi i vetëm është mungesa e trojeve për ndërtim.
Taksat
Taksat që shteti i ka vënë sektorit të ndërtimit konsiderohet si një ndër pengesat kryesore nga sipërmarrësit e këtij sektori. Kompanitë e ndërtimit në Shqipëri paguajnë taksa mbi çmime të përcaktuara nga qeveria në të gjitha hallkat e tregut, nga kostoja e materialeve të ndërtimit deri të çmimi final. Ndërtuesit paguajnë TVSH të inkorporuar për çdo metër katror të ndërtuar me çmim ligjor prej 30 mijë lekësh. Ky çmim u rrit për herë të fundit në vitin e kaluar, kur gjithçka ishte në rritje. “Përgjysmimi i çmimeve mbi lëndët e para, nga hekuri te çimentoja, nuk janë pasqyruar në koston zyrtare të ndërtimit”, - thonë ekspertët. Kostoja minimale fiskale në sektorin e ndërtimit bazohej më parë te studimi periodik i Institutit të Statistikave, por më vonë u vendos nga vetë Ministria e Financave. Kompanitë e ndërtimit paguajnë 20% të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Shqipëri, ndërkohë që realizojnë rreth 14% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si pasojë e praktikave të taksave referuese. Po ashtu, edhe harta e çmimeve të përcaktuara nga qeveria, e cila u modifikua edhe vitin e kaluar, ka bërë që të rritet shuma e detyrimeve që duhet të paguhen për shitjet e apartamenteve.
Gjatë vitit të kaluar është vendosur një taksë e re për transferimin e pronësisë në masën 9% të vlerës së banesës që shitet për herë të parë ose në masën 9% të fitimit të realizuar për banesën e shitur për herë të dytë.
Prej dy vitesh sektori i ndërtimit po kalon në një fazë të vështirë. Shoqata e Ndërtuesve pretendon për një bllokim të rreth 4 mijë apartamenteve dhe uljes së ndejshme të fuqisë blerëse. Krizë ka pasur edhe në dhëniet e lejeve të ndërtimit, që duket sikur është zbutur në fundin e vitit të kaluar dhe fillimin e këtij viti.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›