E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Duhet një marrëveshje e re politike mes shqiptarëve dhe maqedonasveNga AlsatMenduh Thaçi, kryetar i PDSH në Maqedoni, flet në “Studio e Hapur” në AlSAT me gazetaren Eni Vasili Ju thoni se Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, që i ka skaduar a

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Thaçi: Duhet një marrëveshje e re politike mes shqiptarëve dhe maqedonasveNga Alsat

Menduh Thaçi, kryetar i PDSH në Maqedoni, flet në “Studio e Hapur” në AlSAT me gazetaren Eni Vasili

Ju thoni se Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, që i ka skaduar afati, dhe propozoni një marrëveshje të re. Çfarë është ajo që propozoni ju? Ku synon?

Për disa është një ofertë e fundit për të mbijetuar Maqedonia, për disa të tjerë mund të jetë një ofertë ekstreme, radikale nga ana e shqiptarëve, dhe unë po e shpjegoj çfarë është ajo. Pasi kam arritur në përfundimin se opsionet politike që kemi përdorur nuk kanë dhënë efekt, aty bën pjesë edhe partia ime, dhe mendoj se përfundimisht duhet të kalohet në një opsion tjetër politik, partneritet i vërtetë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ka të tillë që e quajnë këtë federatë, unë nuk e mohoj, mund të jetë e tillë, qëllimisht nuk e kam përdorur termin federatë dhe federalizim, se ky nocion është kompromentuar. Në anën tjetër, nuk kam përdorur termin e fortë federatë për ndarje territoriale, për shkak se ka zona në Maqedoni, ku shqiptarët janë pakicë. Dhe po të ketë një ndarje territoriale në federatë, ata nuk do t’i gëzojnë këto të drejta. Thjesht dy janë shtyllat kryesore që përbëjnë këtë marrëveshje, e para është vendimmarrja, e cila duhet të jetë me konsensus. E kam lënë krejtësisht të hapur si opsion, që së bashku të vendosim se si do të arrihet kjo vendimmarrje konsensuale, parlamenti me dy dhoma, përfaqësia e barabartë 30 deputetë shqiptarë, 30 maqedonas ose Senati, ku gjithashtu përfaqësia do të jetë e barabartë. Kjo është një vendimmarrje që përdoret në shtetet perëndimore, si Belgjikë, Zvicër por edhe në SHBA, ku shtetet që e përbëjnë atë, pavarësisht nga numri popullsisë së tyre, përfaqësohen në Senat me nga një senator.

Shtylla e dytë është buxheti i shtetit, i cili duhet të ndahet proporcionalisht. Nëse shqiptarët e Maqedonisë kontribuojnë në buxhetin e shtetit përmes tatimeve të ndryshme me 30%, ato duhet të kthehen te shqiptarët, për zhvillimin dhe perspektivën e tyre që nisin që tek arsimi, shkenca, kultura shëndetësia e kështu me radhë. Diskriminimi që bëhet në Maqedoni është i programuar prej moshës zero deri në moshën 100-vjeçare. Pra, thjesht këto dy shtylla garantojnë funksionimin e një partneriteti të vërtetë në Maqedoni mes këtyre dy popujve që duan të bëjnë këtë shtet. Çdo mënyrë tjetër e funksionimit të Maqedonisë do ta sjellë situatën në konflikt.

Pse mendoni se mund të ketë sukses ky propozim i dytë, nëse quaj të parë Marrëveshjen e Ohrit, dhe të ketë besimin e shqiptarëve?

Për shkak se përfundimisht u garanton shqiptarëve që të jenë zot të vetvetes, të tokës dhe mjeteve financiare. Po të arrijnë që t’ua eliminojnë zhvillimin ekonomik, do të jenë shërbëtorë të atyre, pavarësisht se do të mund t’u ofrojnë të drejta folklorike të ndryshme, me flamurë dhe muze të ndryshëm. Mendoj se kjo marrëveshje do të ketë sukses dhe dita-ditës has në përkrahje shumë të madhe, për shkak se PDSH dhe unë me korrektësi në publik pranoj se rruga që kemi ardhur deri këtu ka qenë rrugë e gabuar dhe këtë nuk e bën askush tjetër.

Kemi pasur gjithë shpresat se do të ketë efekte, do të ketë rezultate, dhe pse jemi të pakrahasueshëm me të tjerët, kur jemi në qeverisje, sukseset tona janë dhjetëfish më të mëdha, por ato rrënohen, kur vijnë forca të tjera politike në pushtet. E dyta, mendoj se do të ketë sukses, sepse procesi i përgjithshëm që zhvillohet çon drejt komplikimeve, ju e keni parasysh, pas datës 7 dhjetor do të vijnë komplikimet e mëdha të këtij projekti artificial në Maqedoni. Nuk kemi asnjë shtet tjetër multietnik në Evropë, ky është eksperimenti i parë ndoshta dhe i fundit. Shtetet janë etnike, ose mes dy etnive me partneritet federatë, konfederatë, kjo vendoset me konsensus. Përfundimisht, e treta, mendoj se do të ketë sukses, sepse shqiptarët e Maqedonisë janë në situatën më të vështirë, si në aspektin ekonomik, dhe në aspektin e të drejtave. Ne do të investojmë që të artikulojmë këtë pozicion të rëndë, ta menaxhojmë mirë këtë pakënaqësi, të fitojmë mbështetjen dhe përkrahjen e shumicës absolute të shqiptarëve dhe më pas në tryezë të bisedimeve do të dimë që të realizojmë këtë marrëveshje. Ka dhe mendime të ndryshme që nuk i përjashtoj, kundërshtarët e saj nuk merren fort me formën, por me cinizëm, me ironi sulmojnë përmbajtjen duke thënë se ju nuk keni partnerë maqedonas që do ta pranojnë atë. Mendoj se kjo është një logjikë e mbrapshtë, po nuk patëm partnerë maqedonas, nuk duhet ta quajmë veten shqiptarë. Partneri maqedonas do të detyrohet, në momentin që do të shohë se ka një mbështetje të fortë plebishitare për këtë opsion politik që të ulet dhe të bisedojë.

Njëra shtyllë e marrëveshjes është aspekti ekonomik, dhe dihet që shumica e kapitaleve është e shqiptarëve, si do ta menaxhoni këtë kapital?

Është dukje kjo, mashtrim. Kapitali i vërtetë është te maqedonasit. Kapitali shtetëror, që është privatizuar, 99% është në duart e maqedonasve, për shkak se ata i kanë pasur drejtoritë dhe të punësuarit në ndërmarrjet e ndryshme shtetërore me 97-98% maqedonas. Kapitali i shqiptarëve të Maqedonisë është shkatërruar përfundimisht, të gjitha perspektivat, të ardhurat që ishin që prej kohës së Jugosllavisë dhe ku punonin shqiptarët janë mbyllur dhe ata janë kthyer në Maqedoni. Bisedohet për një ekonomi shumë të vogël, private, e cila dita-ditës sulmohet nga ana e qeverisë aktuale. Ata sjellin inspektorë të ndryshëm tatimorë që t’i dëmtojnë edhe këto biznese të vogla. Sinqerisht jam i bindur nga përvoja që kam, se kjo është një strategji e programuar që të shkatërrohet edhe ajo ekonomi e hollë e shqiptarëve dhe pastaj ata të dalin në pozicionet e shërbëtorit. Unë e kam parasysh edhe zemërgjerësinë që kanë shqiptarët e Maqedonisë se ndihmojnë njëri-tjetrin, për shkak se kemi qenë edhe pa institucione, por besoj se nuk zgjidhet problemi ashtu. Problemi zgjidhet vetëm me lekët e qeverisë, të cilat për një vit janë miliarda euro, dhe shqiptarët këto lekë që japin në institucione duhet t’i marrin prapë që t’i shfrytëzojnë për jetën e vet, për përparimin e vet. Kjo do të ishte zgjidhja e vërtetë. Të tjerat që dalin në publik, se shqiptarët e Maqedonisë janë të fortë, nuk janë të vërteta, shqiptarët e Maqedonisë janë në gjendje katastrofale ekonomike. Kjo urgjentisht duhet të ndryshojë.

Si do të zgjidhet çështja e gjuhës shqipe, e flamurit, sigurisë?

Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni me të gjitha parametrat që ka gjuha maqedonase. Principi i funksionimit të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë ky, shteti flet me dy gjuhë, jo qytetari flet dy gjuhë. Çështja të tjera të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat janë dhënë pjesërisht, duhet të rikthehen në aspektin e statusit politik dhe juridik, vendimmarrjet e brendshme, funksionimi i institucioneve duhet të bëhen me mekanizmin e konsensusit. Tani Maqedonia ka një kryeministër dhe katër zv/kryeministra, sipas marrëveshjes do të ketë një kryeministër dhe, nëse ai është maqedonas, do të ketë një zv/kryeministër shqiptar dhe vendimet do të merren në partneritet të plotë e kështu me radhë të gjitha institucionet do të funksionojnë në këtë mënyrë dhe kuptohet që ligje të tjera do të funksionojnë në bazë të ligjeve të Unionit Evropian, ku të gjithë së bashku duhet të hyjmë.

Një çështje e hapur është ajo me Greqinë për emrin, që ka sjellë disa pengesa për Maqedoninë. Por doja të dija, pse mendoni se shqiptarët nuk janë përfshirë aspak në këtë çështje dhe a duhet ta pësojnë ata për një politikë të ngurtë maqedonase?

Unë nuk bëj pjesë në grupin e politikanëve joseriozë, që mendojnë se me fjalë goje do të zgjidhet problemi. Shqiptarët nuk janë përfshirë në këtë proces dhe nuk janë shumë të shqetësuar, për shkak se punën e kryejnë grekët. Insistimin e maqedonasve për të përvetësuar historinë, qoftë antike, qoftë sllave dhe kjo të ketë si rezultat trashëgiminë e tokave, territoreve, e parandalon Greqia. Mendoj se shqiptarët nuk kanë nevojë të tregojnë as ndonjë shpirtgjerësi të madhe për këtë problem që kanë maqedonasit, që e quajnë problem të identitetit, të politikës së brendshme, e cila do që t’i rezistojë këtij qëndrimi të Greqisë. Fundja maqedonasit vazhdojnë të mos kenë asnjë lloj ndjesie për identitetin e shqiptarëve. Mendoj se Greqia me plot të drejtë e ka vendosur atë stop ndaj kësaj politike ekspansioniste që ka kjo qeveri dhe përfundimisht ky problem do të zgjidhet, vetëm nëse lëshojnë pe maqedonasit. Grekët nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe. Duhet të sqarojmë edhe diçka tjetër, që për një kohë të gjatë është munduar të fshihet se qenka problem vetëm emri. Jo, është problem identiteti. Grekët asnjëherë nuk do të pranojnë që afër tyre do të jetojnë një grup njerëzish që do të tentojnë të përvetësojnë gjithçka. Shpeshherë në jetë ndodh që historia e sulmon të tanishmen, po sipas rregullës kjo ndodh kur e tanishmja e sulmon historinë. Maqedonasit duhet ta qartësojnë, janë sllavë që kanë ardhur në shekullin e VI-VII në Ballkan apo janë antikë. Ata duan të dyja t’i marrin dhe të krijojnë një identitet të ri. Ky është një proces që shkon ndesh gjithë fqinjëve të tjerë, edhe shqiptarëve, edhe bullgarëve, dhe serbëve. Nxjerrja e dhëmbëve, apo qëndrueshmëria, apo konsistenca e maqedonasve në raport me Greqinë nuk jep efekt te grekët, janë efekte virtuale, efektet e vërteta të kësaj politike nacionaliste jepen te shqiptarët në Maqedoni. Tendenca nacionaliste diskriminuese efektet e vërteta i jep te shqiptarët. Çfarë do t’i bëjnë ata Greqisë, e cila në këtë betejë politike mund të harxhojë vetëm fjalë goje?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›