E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “PD-ja dhe segmente të opozitës po cenojnë Presidentin”



LSI-ja shpreh shqetësim për tendencën sulmuese dhe zhvlerësuese ndaj institucionit të Presidentit nga maxhoranca dhe segmente të caktuara të opozitës. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh se politika e vjetër dhe e korruptuar, pasi ndryshoi Kushtetutën dhe rrëzoi dekretet e presidentit, po ndërmerr nisma ligjore për të zhvlerësuar edhe më shumë këtë institucion. Për këtë Xhufi kundërshtoi nismën për hartimin e ligjit organik për presidentin dhe ndryshimin e rregullores. “LSI-ja denoncon me forcë nismat e paralajmëruara nga maxhoranca e nga segmente të opozitës mbi hartimin e të ashtuquajturit “ligj organik” për Presidentin e Republikës, që, së bashku me ndryshimet përkatëse kushtetuese, kërkon ta banalizojë e ta kthejë institucionin epror të Presidentit të Republikës në një instrument politik të maxhorancës apo “të dyshes” së radhës. LSI-ja denoncon thirrjet e ashtuquajtura “për transparencë” në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve kushtetuese, si dhe ato për “amendimet” në Rregulloren e Parlamentit: të gjitha këto kanë një qëllim dhe do të kishin një rezultat po qe se do të realizoheshin: ta zhvendosnin procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për poste kushtetuese nga Presidenca në Kuvendin e kontrolluar tashmë nga vullnete politike të korruptuara”, - u shpreh Xhufi. Zëvendëskryetari i LSI-së tha se është e drejtë e presidentit për të vendosur për anëtarët e Gjykatës së Lartë, dhe se askush nuk mund të ndërhynte në këtë proces.
SH. S.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›