E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kuvendin e 9-të të PD: Vijmë sot më krenarë se kurrë pas përmbushjes së misionit madhor, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

Mban punimet Kuvendi i 9-të i Partisë Demokratike, kryetari i saj dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha përshëndet të gjithë delegatët dhe mbështetësit e kësaj force politike. Në fjalën e tij Berisha u shpreh për luftë me zero tolerancë ndaj efekteve të mafies dhe njëherazi specifikoi prioritetet e mandatit qeverisës në vijim, ku bie në sy rritja e pagave dhe pensioneve në qershor të 2010-ës, ndërtimi i 7000 km rrugë në të gjithë Shqipërinë dhe lëvizja e lirë e të gjithë qytetarëve shqiptarë drejt BE brenda pranverës së 2010-ës. Koalicioni me LSI-në tha kryeministri, do të vazhdojë drejt sukseseve të një pas njëshme deri në zgjedhjet e vitit 2024.        

Në orët e para të mëngjesit të sotëm nisën punimet e Kuvendit të 9-të të Partisë Demokratike, pas fitores së arritur në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe kuadrimin e Shqipërisë në rrjedhën e proceseve të anëtaërsimit në Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij para afro 1500 të pranishmëve, kryetari aktual i PD dhe njëherazi kandidati për rikonfirmimin në këtë post, Sali Berisha u shpreh se ky është kuvendi i fitores historike. “Vijmë në këtë kuvend si kuvendi i fitores historike dhe horizontit të Shqipërisë evropiane. Sot zgjidhen udhëheqësit e rinj, arkitektë të ndërtimit të Shqipërisë evropiane. Ne mblidhemi sot në këtë kuvend rreth datës së themelimit të Partisë Demokratike dhe ulemi më krenarë se kurrë për këtë forcë politike që u krijua 19 vjet më parë nga mendimi më intelektual i kohës që sfidoi regjimiin më të egër dhe më barbar të viteve të vështira”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.  
Partia Demokratike, tha Berisha, në ditët e para të dhjetorit nuk kishte mjete dhe as njohuri për sistemin që do të ndërtonte, por kishte zotimin e saj për themelimin e lirisë dhe të drejtave të individit. Sipas kryeministrit ishte pasioni për lirinë që bëri të mundur që çdo vit Partia Demokratike dhe qeveria e drejtuar prej saj, të dyfishonte të ardhurat për qytetarët shqiptarë. “Pasioni për lirinë dhe garantimi i saj bën që ne të ulemi në këtë sallë më dinjitozë se kurrë, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam më 28 qershor. Ne përmbushëm misionin tonë”, tha Berisha.    
Në këtë drejtim, kryeministri i vendit i bëri thirrje opozitës shqiptare që të rikthehet në parlament dhe të marrë vendin që i takon në procesin e gjatë të reformave dhe integrimit të Shqipërisë. “Gjej rastin të ftoj opozitën se do të ketë përkrahje të plotë dhe frymë bashkëpunimi nga mazhoranca. E ftoj opozitën të zerë vendet në parlament”, apeloi kryeministri.
Përpos ftesës për bashkëpunim parlamentar, Berisha paralajmëroi se grupi i pinjollëve të rinj të bllokut nuk mund të nëpërkëmbin vullnetin e qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Një grusht pinjollësh të bllokut nuk do ia dalin të nëpërkëmbin vullnetin e lirë të qytetarëve. Ne do të mbrojmë vullnetin e qytetarëve. I apeloj, hiqni dorë nga veprimet e etërve tuaj. Zotohem këtu para jush do të mbroj votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kryeministri.
Në vijim, Berisha u ndal te reformat e gjëra, duke specifikuar ato ekonomike dhe forcimi i shtetit ligjor. Si përparësi të mandatit të dytë qeverisës kryeministri Berisha specifikoi reformën në sistemin shëndetësor dhe atë në arsim.
Berisha, garantoi të gjithë qytetarët shqiptarë se me ritmet progresiste të vendit, Shqipëria do të përfitojë regjimin pa viza në BE, brenda vitit të parë të mandatit të dytë.
Në sajë të luftës kundër krimit të organizur dhe bandave më të rrezikshme në vend, Berisha shtoi se u arrit të çmontoheshin fenomenet e krimit. “Brenda mandatit të parë ne ia dolëm të zbërthejmë bandat kriminale. Ne e bëmë Shqipërinë vendin me mesataren më të ulët të krimit, madje në mesataren më të ulët se BE”, vijoi kryeministri. Në këtë aspekt kryeministri foli edhe për luftën e ashpër me të cilën  do të përballet mafia e pa çmontuar në vend. Berisha tha se mafies së organizuar shteti ligjor i ka rezervuar “darët dhe gërshërët e ligjit”. “Në katër vitet që shkuan ne vendosëm para ligjit bandat më të rrezikshme. Por, duhet të pranojmë se na pret një betejë, ajo me mafien. I rezervojmë asa darët dhe e gërshërët e ligjit. Jemi më të vendosur se kurrë, për të vendosur ligjin dhe për ti dhënë pëgjigje mafies. Nëse mafia pushteton rrugë të kryeqytetit, përvetëson prona publike, ligji nuk duhet të tolerojë kurrë më. U bëj thirrje “avokatëve” të saj të cilët akuzojnë qeverinë, të paraqesin qoftë edhe një rast të vetëm të qëndrimit të njëanshëm. Le tu faktojnë qytetarëve shqiptarë një rast të vetëm të ndërtimit të pallateve mbi rrugë. Jeni avkatë të së pashpresës. Harrojeni çdo kompromis”, deklaroi kryeministri.    
Duke u ndalur te prioritetet e qeverisjes të mandatit në vijim, kryeministri Berisha u shpreh se në qershor të 2010-ës, do të realizohet rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. Ndjekja e politikave sociale dhe zhdukja e varfërisë do të jetë një nga prioritetet më të rëndësishme, që pritet të marrë përgjegjen e duhur, vetëm pas 2 viteve. “Garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se në qershor të 2010-ës, ne do të bëjmë rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. Brenda dy viteve nuk do ketë shqiptarë në këtë vend që do të marrë më pak se 2 USD në ditë. Zhdukja totale e varfërisë brenda dy viteve do të jetë një luftë mekanike. Zotohem të përshtasim të gjitha politikat sociale. Punësimi i 160 mijë qytetarëve po jetësohet gjithnjë e më shumë”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë theksoi edhe projektet infrastrukturore duke shtuar se katër vitet në vijim do të jetësohen më shumë se 7000 km rrugë në të gjithë vendin.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Berisha iu referua ecurisë së koalicionit qeverisës PD-LSI, duke e vlerësuar atë si të sukseshëm dhe në sajë të një bashkëpunimi që pritet të zgjasë deri në zgjedhjet e vitit 2024. “Ndjehem krenar që në koalicion jemi me një parti që në programin e saj politik, “yllin polar” ka integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndjehem krenar që në koalicion kam një parti që përfaqëson interesat e vërteta të elektoratit të majtë. Jemi të vendosur të ecim së bashku edhe në zgjedhjet e viteve në vijim e deri në zgjedhjet e vitit 2024”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha, na fjalën e tij para delegatëve, ministrave, deputetëve dhe të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike, me rastin e mbajtjes së punimeve të Kuvendit të 9-të, për të bërë analizën e zgjedhjeve dhe përcvaktimin e sfidave të ardhshme në qeverisjen e vendit. Në këtë Kongres pritet të miratohene dhe strukturat e reja drejtuese të PD, bashkë me kryetarin, ku kreu aktual Sali Berisha do të rikonfirmohet me unanimitet të plotë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›