E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetat transzhener, një doracak për leximin e apatridëve

Kur gazeta dikur të djathta hedhin shashka politike ultra të majta, nuk dëmtojnë shumicën në pushtet dhe dr. Berishën, liderin e saj, por integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE
   
Dy-tre ditë përpara, ndërsa shfletoja në internet shtypin shqiptar, më zuri syri një “lajm” të bujshëm në dukje të një gazete me emër të Tiranës, dikur e djathtë e tejskajshme (ekstreme), sot e zhvendosur tërësisht në të majtën e tejskajshme dhe e tjetërsuar sikur ka kapërcyer ylberin, që, siç thonë, po ta kapërcejë njeriu, ndërron gjininë. Më tërhoqi vëmendjen jo se kishte të bënte me problemet e përditshme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve; me përshpejtimin e reformave demokratike që po bën koalicioni i sotëm qeverisës; me kapërcimin e krizës politike të shkaktuar nga e ashtuquajtura opozitë e Edi Ramës; me arritjet apo mosarritjet ekonomike e të tjera kësisoj. Përkundrazi. Lajmi hynte si pykë në rrjedhën  e përditshme të jetës shqiptare, me qëllimin e mbrapshtë dhe djallëzor që të nxinte gjithçka shqiptare.
Titulli: “Presidenti i Kosta Rikës: S’duam që Hondurasi të bëhet Shqipëria e Amerikës Latine (!)”
    Si titull, s’ke ç’i thua: bombë. Përmbajtja, hiç. Ose, më mirë, një hiç i fryrë me zor që, po t’i heqësh mbetjen, domethënë frazat boshe që përsëriten për konsum propagandistik, fillon e mbaron me titullin. Ja një copëz, madje më e qenësishmja: “Presidenti i Kosta Rikës, Oskar Arias, gjatë një takimi me kandidatët kryesorë të Hondurasit, ka përmendur edhe Shqipërinë, duke e marrë si shembullin më të keq të Republikave të Bananeve(!).”
Ky ishte thelbi i atij lajmi. Mbetja, siç thashë, sallatë, kontorno. Për kureshtje të lexuesit, le të më lejohet edhe mua të përsëris diçka nga përsëritjet e formuluesit të tekstit dhe që mund të merret si kontekst asaj çka paska thënë Arias: Hondurasi “mund të bëhet Shqipëria e Amerikës, nëse nuk i jep presidencën Manuel Zalejas...”
Sipas gazetës, Presidentin e Kosta Rikës e paskëshin cituar disa agjenci lajmesh amerikane. Nuk e dimë se sa agjenci mund të nënkuptojë njeriu me përemrin e pakufishëm “disa”: një, dy, shumicën apo pakicën e agjencive amerikane të lajmeve. Sepse kontinenti amerikan është i madh, fillon nga Alaska dhe mbaron në Tokën e Zjarrtë, ndërsa Qeveria Amerikane (meqë rëndom nënkuptomë SHBA-në, kur themi Amerikë) ka një qëndrim të qartë ndaj ngjarjeve të kohëve të fundit në Honduras. Nëse gazeta “transzhener” (që ka ndërruar gjini) ka parasysh vetëm agjencitë e vendeve të Amerikës Qendrore apo ato të SHBA-së, prapëseprapë, kufijtë e përemrit të pakufishëm “disa” nuk mund të perceptohen dot. Ku fillojnë e ku mbarojnë, vallë? Ajo nuk na ka thënë, të paktën, në cilin kontekst është marrë Shqipëria “si shembulli më i keq i Republikave të Bananeve”: në kontekstin e vijës politike të shumicë në pushtet, që me reformat e saj zinxhir po e mbështet komuniteti ndërkombëtar, apo të pakicës në opozitë, që me gafat e saj të njëpasnjëshme po e dënon e gjithë bota.
Sërish për konsum politik, gazeta bën vetëm këtë koment të shkurtër, as më ke, as të kam: “Komike dhe interesante në krahasimin e Arias, është që Zaleja u dëbua në të njëjtën ditë që janë bërë zgjedhjet në Shqipëri. Pas dëbimit të Zalejas, SHBA dhe Perëndimi e kanë izoluar këtë vend të Amerikës (Hondurasin, E.B.) me sanksione të forta ekonomike”. Ja u fshehka miu: te kutitë!
Si qëndron puna në të vërtetë, pavarësisht çka mund të ketë thënë ose çka ka dashur me thënë Oskar Arias Sançes? Do të ishte me vend të sillja shkurt në kujtesën e atyre që e njohin tashmë krizën politike në Honduras, ose për t’i njohur me këtë fakt ata që nuk kanë qenë të interesuar, sepse hane Hondurasi, hane Shqipëria.
Në qershor të këtij viti, në atë vend të Amerikës Qendrore, u krye një grusht shteti kundër Presidentit të zgjedhur Zaleja. Ky i fundit u arratis jashtë vendit (sot strehohet në Ambasadën e Brazilit në Honduras). Në këto kushte, në vend shpërtheu një krizë e thellë politike. Komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA dhe OEA (Organizata e Shteteve Amerikane) e dënoi grushtin e shtetit dhe kërkoi rikthimin në pushtet të Zalejas. Për këtë qëllim, caktoi Nobelistin e Çmimit për Paqe, Oskar Arias, President i Kosta Rikës, të ndërmjetësonte.
Kaq e gjitha. Përralla për lesh, shëndetja prej nesh! Atje ndodhi, atje u rehatua, atje mbeti. U zgjodh si president një i tretë, Porfirio Lobo Sosa, 29 nëntorin e kaluar (Zot na ruaj, mos gazeta “transzhener” gjen ndonjë lidhje me 29 nëntorin e harruar shqiptar!). Tashti na mbetet të shohim nëse presidenti i porsazgjedhur do të fillojë nga puna më 27 janar të vitit të ardhshëm, siç është paralajmëruar, ose jo. Sepse në Honduras, sikurse edhe në Kosta Rika, bëhen shumë bananet. Drejtori i gazetës duhet ta dijë kaq gjë. Megjithatë, kjo  është punë e popullit të Hondurasit. Sa për ojnat dhe mashtrimet me të cilat gazeta “transzhener” mundohet të përpunojë një opinionin antishqiptar, duke hedhur baltë mbi gjithçka shqiptare, ato, më mirë, le t’i marrë me mend lexuesi.
Më në fund do të dëshiroja të bëja dy a tri pyetje të vogla: Edhe nëse Arias paska shprehur diçka që i vjen pas oreksit të gazetës në fjalë, pse kjo gazetë nuk shikon çfarë mbështetjeje po i jepet Shqipërisë në kontinentin tonë, por lodhet të gjejë halë në përpeq deri në “Republikat e Bananeve”? Pse nuk shkruan me të njëjtin zell për takimet e panumërta të Berishës dhe të liderëve të tjerë qeveritarë ose parlamentarë me krerët europianë: Merkel, Sarkozi, Barozo, Napolitano, Berluskoni, Fini, me Papa Benediktin XVI apo me shumë e shumë të tjerë që nuk do të më dilte koha t’i numëroja? A gjen dot gazeta ndonjë shenjë barazie mes faktit që ndaj Hondurasit, komuniteti ndërkombëtar ndërmori një sërë sanksionesh ekonomike, kurse Shqipërisë, përkundrazi, po i jep mbështetje ekonomike që do t’ia kishin zili gjithë vendet e rajonit e më tej?
Kur njeriu dashurohet pas diçkaje dhe, pastaj kjo i del ndryshe nga ç’e mendon, zhgënjimi është i madh. Shija e hidhur i mbetet në gojë për një kohë të gjatë. Nuk ka sheqer që ta ëmbëlsojë, derisa procesi i domosdoshëm i harresës të bëjë të vetën. Për hir të inercisë së forcës së zakonit, i duket të shkretit njeri sikur po sheh ëndërr të keqe dhe, si gomari të cilin po e shqyente ujku, fillon e i lutet zotit të jetë vërtet në ëndërr. Kështu më ndodhi edhe mua me gazetën në fjalë, dikur të djathtë, sot ultra të majtë, dhe me drejtorin e saj.
Më pëlqente asohere ajo gazetë. Mirëpo, erdhi një kohë dhe ujërat u turbulluan. Dikush do ta kishte  shkelur në kallo. Ai, nga inati, po fut duart dhe po turbullon ngado, duke dashur të filtrojë gjirizet, çka është e pamundur. Kush ia turbulloi ujërat drejtorit dhe pse? Mos ndoshta sepse lutej të binte shi vetëm në arën e vet? Më mirë sesa ai vetë, nuk besoj  se do ta dinte kush. Unë nuk kam ndërmend ta lodh lexuesin me hamendjet e mia, duke qenë i bindur se secili u beson hamendjeve të veta. Ndaj po ia lë kohës ta thotë të vërtetën, ndonëse udha që duket, nuk do kallauz.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›