E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i pronave, AKKP shpërndan paratë për fituesit



Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka nisur shpërndarjen e parave për 211 fituesit e kompensimit të pronave për vitin 2009. Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Cefa, tha për gazetën se duke filluar nga dita e sotme, në llogaritë përkatëse bankare të çdo subjekti fitues do të bëhet kalimi i parave. “Mendojmë se deri të nesërmen, ditën e nesërme, e mërkurë, do të shpërndajmë fondet për të gjitha subjektet të cilat kanë dorëzuar tashmë numrin e llogarisë”, - tha Cefa. Procesi i kompensimit financiar për vitin 2009 shpalli 211 subjekte fituese nga 521 të konkurruar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave. Këtë vit do të shpërndahet një numër rekord lekësh prej më shumë se 1.2 miliard lekësh ose mbi 13 milionë dollarë, çka përbën një rekord në këtë proces kompensimi që nga viti 2005. Në këtë proces, fillimisht u kualifikuan 521 subjekte të shpronësuara për kompensim financiar. Vitin e kaluar fituan rreth 160 subjekte. Kriteri kryesor i shpalljes së fituesve ishte vendimi më i vjetër i dhënë për njohjen e pronës. Pra, ky do të jetë kriteri kryesor i fitimit të kompensimit financiar deri në 200 metra katrorë. Sa më i vjetër të jetë vendimi për pronën, aq më i favorizuar do të jetë një subjekt për të përfituar nga fondi prej 1.2 miliard lekësh. Të gjitha dosjet dhe praktikat përkatëse të aplikimeve do të dërgohen ose janë dërguar nga agjencia qendrore e kthimit dhe kompensimit të pronave në zyrat rajonale në qarqe, në mënyrë që të bëhen të gjitha verifikimet e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet kërkues. Më pas, do të rikthehen sërish pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ku do të bëhet edhe vlerësimi përfundimtar për efekt të klasifikimit të fituesve dhe jofituesve. Kërkesat fituese do të shpallen me vendimin më të vjetër. Të gjitha këto kritere janë bërë në mënyrë që përfituesit e këtij fondi të jenë ish-pronarët të cilët gjatë viteve të tranzicionit nuk kanë arritur të përfitojnë asgjë. Në rast se mes dy ish-pronarëve, që kërkojnë kompensim për një tokë deri në 200 metra katrorë, por që njëri prej tyre ka marrë një kthim prone vite më parë, ndërsa i dyti nuk ka marrë asgjë, ky i fundit është përftues, duke e krahasuar me të parin.

Ndërkaq, vendimi i ri i qeverisë ka bërë të mundur që të lehtësojë procedurën. Ne vitet e mëparshme gjatë procesit të aplikimit, ish-pronari duhet të shkonte në çdo zyrë shteti përkatëse që të verifikonte dokumentacionin, ndërsa tashmë, me vendimin e ri këtë punë e bën administrata e AKKP-së në bashkëpunim me ZRPP-në. Subjekti ka detyrimin që të sjellë vendimin përkatës bashkë me hartën. Në përfundim të depozitimit të dokumentacionit përkatës, të gjitha verifikimet i përkasin administratës së AKKP-së. Kjo do të bëjë të mundur që qytetarët të mos sorollaten më nëpër zyrat e shtetit për të verifikuar dokumentacionin apo pretendimin e tyre, por do ta bëjë vetë administrata e AKKP-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›