E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në PPE: Rama humbi zgjedhjet, por nuk dha dorëheqjen

Kryeministri Sali Berisha kritikoi qëndrimin e deritanishëm të kryetarit të opozitës, Edi Rama, si dhe fajësoi opozitën për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat nga BE

FRANCË Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në punimet e Kongresit të 20 të Partive Popullore Europiane, i cili po mbahet në Francë. Edhe pse kongresi i PPE-së po diskuton mbi situatën ekonomike në Europë dhe çështjen e një forcimi politik dhe integrimi të mëtejshëm ekonomik, fiskal e social, si një përgjigje ndaj krizës ekonomike në eurozonë, gjatë fjalës së tij Berisha u përqendrua më së shumti tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek kryetari i opozitës, Edi Rama. Ndryshe nga raportet e deritanishme për zgjedhjet e 2009-ës, Berisha deklaroi dje se procesi i numërimit në këto zgjedhje ka qenë i rregullt. “Ne kemi vuajtur nga zgjedhjet, por zgjedhjet e vitit 2009 u kualifikuan si zgjedhjet që kanë përmbushur shumicën e standardeve të OSBE-së, si zgjedhje ku nuk ka pasur dëshmi për manipulime ose numërim të parregullt. Zgjedhjet e vitit 2011 u konsideruan si konkurruese dhe të drejta, ndonëse me disa probleme teknike. Shqipëria po punon shumë për një projekt, që është projekti i këtij shekulli, integrimi në BE. Në të gjitha përpjekjet tona ne kemi pasur mbështetje, ndihmë të madhe nga presidenti Martens, presidenti Joseph Daul, parti simotra, dhe iu jemi shumë mirënjohës për këtë”,- tha dje Berisha. Kryeministri kritikoi edhe veprimet e kryetarit të opozitës, Edi Rama, i cili sipas tij, duhet të jepte dorëheqjen me humbjen e zgjedhjeve të 2009-ës. Në këtë rast, Berisha përdori lojë fjalësh lidhur me statutin e PS-së. “Gjithë jetën time politike, si një njeri i lirë kam besuar se Europa përbëhej kryesisht nga e djathta qendrore, por alternativa ishte gjithashtu jetësore për sigurinë e demokracisë në këtë kontinent. Kështu, mendoja se socialistët europianë, për aq kohë sa respektojnë shtetin ligjor, janë për të mbrojtur votën. Pas vitit 2009, të dashur miq, lideri i opozitës socialiste mbajti qëndrimin që nuk i njihte zgjedhjet. Në të njëjtën kohë ai mblodhi Kongresin, ndryshoi statutin, në të cilin shkruhej: nëse lideri humbet zgjedhjet, ai duhet të japë dorëheqjen; dhe vendosi një nen: kur lideri humbet zgjedhjet, kur partia humbet zgjedhjet, lideri nuk duhet të japë dorëheqjen. Ky ishte problemi i tij, jo imi”, - tha ai. Berisha bëri përgjegjës Ramën edhe për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat nga Brukseli. “Projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt madhor për vendin tim. Opozita, pasi humbi zgjedhjet lokale me një humbje shumë të gjerë, pranoi ekzaktësisht atë çfarë unë u kisha ofruar përgjatë dy viteve. Por përgjatë dy viteve statusi u bllokua, sepse ata kurrë nuk pranuan të votonin asnjë reformë të BE-së në parlament. Ata nuk pranuan të votojnë në parlament. Megjithatë, tani falë zgjedhësve shqiptarë jeta i është kthyer normalitetit, mësimet u nxorën dhe ju siguroj se ne mbetemi të angazhuar dhe do të qëndrojmë me principet që ndajmë së bashku”, - tha ai.

Kongresi i PPE, Daul flet për Ramën

Kryetari i grupit të Partive Popullore Europiane, Jozef Daul nuk i ka kursyer lëvdatat për fjalën e mbajtur nga Kryeministri Sali Berisha në kongresin e 20 të PPE-së. Sipas “ABC News”, Daul i është drejtuar Berishës me këto fjalë: “Ti ke të drejtë dhe unë e di që ne kemi kaluar së bashku disa net pa gjumë së bashku me kryetarin socialist, që disa thonë se ndoshta është pak i sëmurë. Me Martin Shulc dhe bashkë me ty, në sajë tënde, ne kemi arritur të ruajmë shumë jetë njerëzore dhe të respektohen të drejtat e njeriut...”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›