Jahjaga i bën thirrje Serbisë: Hiqni dorë nga pretendimet territoriale
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë që të heqin dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, dhe po ashtu të heqin dorë nga përkrahja e strukturave kriminale në veri të Kosovës.
Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Jahjaga garantoi se marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë do të jenë në interes të vendit dhe të qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me vizionin e të ardhmes evropiane. Ajo theksoi se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe se tërësia territoriale është panegociueshme. Jahjaga i bëri thirrje udhëheqjes së Serbisë që të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe të ndërpresë financimin e strukturave paralele në tri komunat veriore të Kosovës, të cilat po mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve.
Presidentja e Kosovës theksoi se periudhat e hegjemonisë në Ballkan kanë përfunduar, ndërsa shteti i Kosovës është i vendosur për ligj në veri të vendit. Sipas saj, zbatimi i planit të Ahtisaarit nuk ka alternative tjetër dhe ai nuk mund të modifikohet.
Duke përshëndetur fillimin e heqjes së barrikadave, presidentja Jahjaga iu drejtua qytetarëve serb të Kosovës, duke thënë se kanë të drejta të barabarta, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se Kosova është atdhe i të gjithëve.
Më tej, ajo kërkoi angazhimin e të gjitha palëve për të ardhmen evropiane të vendit. Ne nuk shohim rrugë tjetër, përveç asaj evropiane, tha ndër të tjera Jahjaga.
Duke u ndalur në marrëdhëniet me Serbinë, Jahajaga tha se dialogu është rruga e vetme dhe mënyra më e mirë për ti normalizuar marrëdhëniet si dy shtete të pavarura e sovrane.