E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi për Leskajn, zbardhen negociatat në grupin e PD-së

Drejtues të lartë të PD-së janë përfshirë në bisedime me disa deputetë të PD, të cilët kanë mbajtur deri tani qëndrim indiferent për dekretin e Presidentit për kreun e KLSH-së

TIRANË Vota e mazhorancës për kandidaturën e Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk ka marrë ende një përgjigje përfundimtare. Edhe pse po mbushen tri javë nga dekreti i Presidentit për emrin e ri të KLSH-së, demokratët nuk kanë një vendim zyrtar të grupit parlamentar, ndonëse prirja për të votuar këtë emër është pozitive. Arsyeja lidhet së pari me një qëndrim jo përfundimtar nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Së dyti, në grupin parlamentar të Partisë Demokratike ka disa deputetë të lëkundur që kanë shfaqur disa rezerva për kandidaturën e dytë të Topit, kryesisht ata që Leskaj dikur i ka shigjetuar me qëndrimet e tij gjatë kohës që ka qenë deputet e ministër në legjislaturën 2005-2009. Burime nga mazhoranca thanë dje se janë disa deputetë, me të cilët po negociojnë drejtues të lartë të PD-së, me qëllim që të dilet me një qëndrim pro kësaj kandidature. Gjithsesi duhet pritur mbledhja e kësaj të premteje e komisionit të Ekonomisë, ku do të kemi dhe shfaqjen e opinionit zyrtar të deputetëve të PD-së. Deri më tash, Bujar Leskaj gëzon mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar, por edhe të partive aleate që janë në koalicion me qeverinë.

Ngërçi në Kuvend

Që kandidatura e Leskajt të kalojë për diskutim, Kuvendi duhet medoemos që ta përfshijë atë në procedura parlamentare. Afatet për shqyrtimin e tij në komisionin e Ekonomisë janë në limitet e fundit, duke llogaritur edhe faktin që sot është ditë pushimi dhe komisionet parlamentare nuk punojnë. Komisioni i Ekonomisë ende nuk ka përcaktuar datën se kur do të zhvillohet seanca dëgjimore me Leskajn, ndërkohë që ky është propozuar nga Presidenti më 17 nëntor, pra 3 javë më parë. Në bazë të rregullores së Kuvendit, në nenin 111, pika 3, thuhet se “me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tri javëve nga marrja e kërkesës”. Presidenti e ka dekretuar Leskajn më 17 nëntor, ndërsa zyrtarisht kërkesa është depozituar në Kuvend një ditë më pas, pra më 18 nëntor. Për këtë arsye, komisioni i Ekonomisë ka afat edhe të premten për të shqyrtuar dekretin në fjalë. Sipas rregullores, Kuvendi duhet ta shqyrtojë kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.

Precedenti

Leskaj është emri i dytë që depozitohet në Kuvend, në një kohë kur kandidatura e parë, ajo e Sali Shehut, mori vetëm një votë nga deputetët e mazhorancës, edhe pse ai vinte nga radhët e PD-së. Në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha deklaroi se Shehu nuk mund të votohej, me arsyen se ai nuk ishte ekonomist. Në anën tjetër, Leskaj nuk është pranuar si kandidaturë nga grupi parlamentar i PS-së, për shkak se ai është një figurë politike. Leskaj ka konsumuar një mandat katërvjeçar legjislaturën e kaluar. Ai mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike” dhe ka mbaruar tri fakultete: fakultetin Gjeologji-Miniera në vitin 1990; fakultetin e Ekonomisë, dega Financë në vitin 1998, dhe fakultetin e Drejtësisë në 2002-in. Në CV-në e Leskajt renditen edhe disa specializime pasuniversitare. Ai ka botuar disa libra, ndërkohë që prej vitit 1997 Leskaj është anëtar i PD-së. Më 2001-2005, anëtar i Bordit financiar të PD-së dhe prej disa vitesh, anëtar i Këshillit Kombëtar. Në periudhën 2005-2009 Leskaj ka qenë deputet i PD-së në zonën zgjedhore 49 në qarkun e Vlorës, ku mori 6 272 vota. Për periudhën shtator 2005–mars 2007 Leskaj ka mbajtur edhe postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›