E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat ndaj partive, KQZ kontestohet nga PD e PS

KQZ nuk ka mundur dot për herë të dytë radhazi të gjobisë partitë politike, që në zgjedhjet vendore të 8 majit nuk respektuan kriterin e barazisë gjinore për të pasur minimalisht në listat e kandidatëve për këshilltarë 30 për qind femra. E mbledhur dje për herë të dytë brenda një jave, KQZ-ja e ka pasur të pamundur të procedojë me miratimin e aktit të përgatitur nga administrata, nëpërmjet të cilit, për këtë shkelje administrative 53 subjekte politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit lokale dënoheshin me një shumë të përgjithshme prej 720 milionë lekësh të reja. Shkak janë bërë kundërshtitë e dy partive të mëdha dhe më konkretisht përfaqësuesve të tyre, Niazi Kosovrasti për PD-në dhe Genci Gjonçaj për PS-në, të cilët ngritën para komisionit probleme që lidhen me mënyrën e llogaritjes së shkeljes administrative dhe afatet e saj. I pari që ka folur ka qenë Kosovrasti, i cili duke iu referuar pikërisht përcaktimeve që bën Kodi Zgjedhor për përbërjen e listave, theksoi se shkelja nëse ekziston, duhet të konstatohet deri në 50 % të listës, aq sa ligji zgjedhor e bën të detyrueshme për ta pasur dhe paraqitur në KQZ. Për pjesën tjetër të mosplotësimit të kriterit gjinor, pra pjesën e dytë të listave, nuk mund të konstatohet shkelje administrative, pasi sipas Kosovrastit, partitë politike mund edhe të mos i kishin paraqitur fare. Por ajo që duket se ka bllokuar KQZ-në në vendimmarrjen e vet ka qenë argumenti i sjellë nga përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, i cili theksoi se projektvendimi vjen në një kohë kur kanë skaduar të gjitha afatet ligjore. Për këtë, ai i është referuar ligjit për kundravajtjet administrative, i cili përcakton se masa merret 30 ditë nga konstatimi i shkeljes dhe jo më vonë se 6 muaj nga ndodhja e saj. Të dyja këto afate sipas Gjonçajt janë tejkaluar, ndaj vendimi i propozuar nga KQZ-ja është antiligjor. I gjendur para këtyre argumenteve, kreu i KQZ-së, Arben Ristani ka kërkuar një pushim dhe është tërhequr për konsultim me stafin e vet dhe vetëm pak minuta më pas, Sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni ka njoftuar zyrtarisht shtyrjen e mbledhjes në një afat të pacaktuar. Sipas projekt-aktit, PS-ja është subjekti zgjedhor që në zgjedhjet e 8 majit rezulton të ketë respektuar më pak se çdo forcë tjetër politike kriterin gjinor për listat e kandidatëve për këshillat komunalë dhe bashkiakë. Bëhet fjalë për plot 242 njësi, ku PS-ja rezulton të mos ketë përmbushur këtë kriter dhe për rrjedhojë, nga përllogaritja e bërë ku për çdo njësi dënohesh me 300 mijë lekë, kjo forcë politike duhet të paguajë 7.2 milionë lekë të reja. E dyta në radhë vjen Lëvizja Socialiste për Integrim, me 212 njësi dhe me një vlerë gjobe prej 6.3 milionë lekësh të reja. E treta renditet PBDNJ, me 163 njësi shkelje dhe me vlerë gjobe 4.9 milionë lekë të reja. Më pas në radhë është Partia Demokratike, me 153 njësi me shkelje dhe me një vlerë gjobe prej afro 4.6 milionë lekësh të reja. Pastaj vijnë me radhë PSD, me 4.3 milionë lekë gjobë, PLL me 3.3 mln, PDS 3.2 mln, PDK me 2.9 mln etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›