“1 milionë euro për praktikën e studentëve pas mbarimit të shkollës”
Dita e Ekselencës, Bashkia e Tiranës ofron stazh me pagesë për 84 studentë të Universitetit të Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha mori pjesë dje në ceremoninë e shpërndarjes së “Medaljeve të Arit” dhe “Student i Shkëlqyer” për 84 studentë të Universitetit të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i konsideroi 84 studentët me medalje ari si aset të vyer për botën akademike, por edhe për qytetin. Basha bëri të ditur se nga burimet e Bashkisë, të paktën 1 milionë euro, do të adresohen për praktikën e studentëve pas mbarimit të shkollës. Në këtë kuadër Kryetari i Bashkisë bëri të ditur vendimin për t’u mundësuar stazh me pagesë në Bashkinë e Tiranës, institucione të tjera publike, në sektorin privat, duke filluar nga java e parë e Janarit për 84 studentët e diplomuar sot. “84 studentët me medalje ari janë një aset i vyer për botën akademike, por edhe për qytetin. Tirana dhe unë si Kryetar Bashkie jemi krenarë që numri i studentëve me rezultate maksimale, numri i studentëve të ekselencës, sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Po kështu rriten edhe sfidat tona. Unë jam i prirur që prapa çdo sfide të shoh një mundësi, një shans, dhe jam më i inkurajuar që për përballimin e sfidave në qytetin tonë, sot na shtohen partnerë të rinj dhe të rëndësishëm si dhe gjithë ju këtu, teksa bëhemi gati të marrim përgjegjësi dhe për të ushtruar profesionin tuaj në shërbim të shoqërisë dhe progresit. Bashkia e Tiranës ka një marrëdhënie të veçantë me Universitetin e Tiranës. Dy profesorë të këtij universiteti, që ndodhen sot në mesin tuaj, janë dy nënkryetarët e Bashkisë. Ky fond do të jetë nga burimet tona, të paktën 1 milionë euro, por unë pres me besim se kjo shumë do të dyfishohet dhe trefishohet nga pjesëmarrja i institucioneve të tjera. Praktika, siç kam premtuar, do të jetë stacion kalimi drejt punësimit të profesionistëve të rinj që dalin nga auditorët e universiteteve”, u shpreh Basha. Dita e ekselencës përkoi dhe me një ditë të veçantë në historinë tonë dhe historinë e studentëve në veçanti. Nga Kinoklubi i Qytetit Studenti, Basha tha se 21 vite më parë, pikërisht nga ky vend, nisi jetësimi i ëndrrës për t’i dhënë fund diktaturës më të egër në Europës dhe për të instaluar në vend sistemin demokratik pluralist. Kryebashkiaku tha se si atëherë, ashtu edhe sot, ky mbetet vendi nga nisi rrugëtimi, shpresa, dhe e ardhmja e qytetit tonë, shoqërisë sonë dhe kombit tonë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u premtoi studentëve të Universitetit të Tiranës dhe të atyre të akomoduar në Qytetin Studenti se nga janari i vitit të ardhshëm jetësohet projekti i “kartës së studentit” dhe linja urbane Qyteti Studenti - Qendër. “Ne kemi në proces përgatitjen e kartës së studentit dhe përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë rektorët e universiteteve të Tiranës të sjellin listat e studentëve që do të përfitojnë nga kjo kartë privilegjesh dhe krijimi lehtësirash. Një linjë e re e transportit urban nga qendra drejt qytetit studenti, është një projekt që Bashkia do të realizojë nga Janari, për të lehtësuar qarkullimin në jetën e përditshme të studentëve”, deklaroi kryebashkiaku Lulzim Basha.
...