Berisha në PPE: PS nuk ka votuar asnjë reformë europiane
Kryeministri i vendit Sali Berisha ndodhet në Marseje të Francës ku po mbahet kongresi i 20-të i PPE-së. Berisha në fjalën e mbajtur është shprehur se ekonomia në kohën e Partisë Socialiste është mbytur nga taksat.
“Shqipëria po punon për integrimin në Bashkimin Evropian. Kemi patur mbështetje nga partitë simotra dhe jemi mirënjohës për këtë mbështetje”, ka deklaruar kreu i vendit.
Berisha akuzoi se lideri i opozitës ndryshoi statusin e partisë.
“ Në gjithë jetën politike si njeri i lirë mendoja se Europa përbëhej nga qendra e djathtë, por edhe alternativa e saj ka qenë e rëndësishme, ndaj mendoj se socialistët europian, kur respektojnë ligjin janë të nderuar. Lideri i opozitës nuk pranoi rezultatin dhe ndryshoi statusin e partisë së tij,duke mos respektuar atë të jepte dorëheqjen. Opozia pasi humbi zgjedhjet lokale me diferencë të madhe ajo pranoi saktësisht atë që unë ofrova për dy vjet rrjesht, por ata nuk pranuan kurrë të votojnë asnjë reformë evropiane. Ato nuk pranuan të votonin në parlament”,-theksoi Berisha.
Duke folur për situatën politike në vend kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se ka pasur një progres të madh gjatë 20 viteve duke shënuar rritje ekonomike dhe një cilësi të lartë jetese. Më tej kryeministri Berisha tha se Shqipëria po punon intensivisht për integrimin në BE.
“Zgjedhjet e vitit 2009 u cilësuan se plotësuan standartet dhe nuk pati asnjë provë për manipulime ndërsa të 2011-tës u konsideruan të drejta dhe transparente. Shqipëria po punon për integrimin në BE dhe në të gjitha përpjekjet kemi pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga partitë si motra”,- u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare në rrugën drejt zhvillimit demokratik të Europës. Duke qëndruar në zhvillimet ndërkombëtare Berisha mbështeti një ndërhyrje të mundshme të NATO-s në Siri ashtu sikurse u veprua edhe në Libi.
Kyeministri do të marrë pjesë në punimet e Kongresit e XX të PPE-së, i cili po zhvillohet në Marsejë edhe gjatë ditës së nesërme. Kongresi XX i PPE-së do të diskutojë mbi situatën ekonomike në Evropë dhe çështjen e një forcimi politik dhe integrimi të mëtejshëm ekonomik, fiskal e social, si një përgjigje ndaj krizës ekonomike në eurozonë
Ndërsa më 9 dhjetor Berisha do të takohet me kryeministrin fracez Francoise Fillon.