E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Peqin: “Brenda 2 viteve ju lidhim direkt me Tiranën”

29-05-2013 / Gazeta 55

S’priten gjëra të mira nga një opozitë që deklaron nga autobusi mavi, ku dëgjon zërin e etërve, se NATO-ja është natë

Në një miting entuziast në qytetin e Peqinit, kryeministri Sali Berisha prezantoi përpara dhjetëra mijë qytetarëve kandidatët për deputet të qarkut të Elbasanit, në veçanti kandidatin e këtij qytetit  Dash Sula.  Kryeministri Berisha premtoi se në mandatin e ri vendi do të marrë statusin e vendit kandidat dhe në veçanti në dy vitet e para të mandatit Peqini do ketë lidhje direkte me Tiranën, pasi kanë mbetur veç 12 kilometra pa hapur nga Papri në Peqin. “Zotohem para jush se mandatin që vjen, do të marrim statusin e vendit kandidat, i cili shoqërohet me qindra milionë euro. Do hapim negociatat për vendet anëtarë ne BE. 4 vitet që vijnë do asfaltojmë çdo rruge dhe rrugicë ne rrjetin e Peqinit dhe qarkun e Elbasanit. 4 vitet që vijnë në rast se biznesi në Peqin u rrit me 70 %, me taksa që ulem dhe hoqëm me masat e tjera, bizneset e Peqinit do të rriten së paku me dy herë. 4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermerët e Peqinit dhe e mbarë Shqipërisë. Do të rimbursojmë makineritë. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë gjitha shkollat dhe kanalizimet. Bashkimi Peqinit me Tiranën, me daljen e veçante nga Komuna e Papër ne Baldushk është zotimi ynë. 12 km kanë mbetur, ju jap fjalën se dy vitet e para të mandatit do keni lidhje direkte me Tiranën”, premtoi Berisha.
Më pas kryeministri Berisha vuri në dukje se në këto vite, pavarësisht nga problemet dhe pavarësisht nga dallimet edhe bindjet, se peqinasit dhe shqiptarët kanë ndryshuar këto vite më shumë se kurrë. “Së bashku, me punë të madhe, me përkushtim dhe me vendosmëri ne ia dolëm të anëtarësohemi në NATO. së bashku të firmosim heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Evropën. Pra nuk jemi më si më parë”, theksoi ai.  Sipas tij, në këto vite qyteti i Peqinit ka ndryshuar dhe ka ndryshuar pothuajse në çdo skaj të tij. “Unë kam kënaqësinë që rruga e parë që inauguruam, e cila ishte një rrugë e shkurtër, u zgjat, kaloi nga komuna në komunë, po shkon nga fshati në fshat dhe sot në këtë rreth ne kemi ndërtuar anekënd një infrastrukturë moderne, të denjë për gratë dhe burrat punëtorë, njerëzit e mrekullueshëm të këtij rrethi”, vijoi ai.  Ndër të tjera, kreu i qeverisë nënvizoi arritjet dhe investimet në rrethin e Peqinit, ku ndërtuan dhe u rindërtuan 19 shkolla, me standarde të njëjta njësoj si në Elbasan, si në Durrës, si në Tiranë, pavarësisht se ku jetojnë. “Në qytetin Peqinit, në fshatrat dhe komunat e tij ne kemi ndërtuar 12 ujësjellës dhe kanalizime. Vetëm ujësjellësi i Peqinit ka kushtuar 1.8 miliardë lekë. Në Peqin dhe në mbarë Shqipërinë ne financuam fermerët shqiptarë. Qindra milionë lekë janë investuar në sistemet e vaditjes së fushave të Peqinit. Qindra hektarë ullishta, vreshta, dru frutorë, sera dhe ferma blegtorale janë financuar nga qeveria në rrethin e Peqinit. Këto janë arritjet tona. Këto arritje i ndjejnë dhe i prekin të gjithë qytetarët e Peqinit, qofshin ata socialistë, të paparti, demokratë dhe të çdo bindje. Ne jemi krenarë se së bashku i kemi realizuar ato”. Ndërkaq  kryeministri Berisha u ndal edhe në alternativën e kundërshtarit, që sipas tij, është ajo e mashtrimit dhe mohimit të punëve të bëra. “Alternativa tjetër është para së gjithash alternativa  e mashtrimit e mohimit, e atyre arritjeve që para së gjithash janë tuajat. Kur deklarohet se NATO-ja është natë, ose nga autobusi mavi dëgjon zërin e etërve, ose je tërësisht i papërgjegjshëm kur deklaron se 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë, qindra kilometra rrugë të asfaltuara në Peqin , në Gramsh në Dumre, në Librazhd deklaron se nuk janë asgjë. Kur thua se 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë, mohon 181 shkolla, kopshte, ndërtesa universitare, të ndërtuara dhe të rindërtuara në qarkun e Elbasanit, ose kështu të thërret zëri i të parëve të tu dhe je i pashpresë, ose je i papërgjegjshëm”. Gjithashtu Shefi i maxhorancës thekoi se duke dëgjuar fjalën e Edi Ramës në Cërrik se, “universitet janë piramida dhe se Gjermania na paska gjithsej 6 deri në 10 universitete, Mbretëria e Danimarkës sipas tij , pas vizitës që bëri na paska gjithsej 6 universitete. Mashtrim total. Edhe Nastradini do ja kishte lakmi. Gjermania numëron 384 universitete. Cilido nga ju le të klikojë në internet dhe do të gjejë listën  e universiteteve gjermane. Mbretëria e Danimarkës ka jo 6, por 35 universitet. Betejat e ua me universitet, shoku i autobusit janë betejat me mullinjtë e erës, janë instinkti i fantazmave të të parëve që ke në autobus, ose papërgjegjshmëria jote totale”.  Po ashtu kryeministri Berisha ironizoi thellë edhe kandidatin e PS për Peqin Alfred Pezë, duke e cilësuar si një njeri që nuk njeh mirënjohjen dhe realitetin.  “Këtu garojnë dy kushërinj të parë nga Peza. Për Dash Pezën nuk po flas se kemi një fjalë ne , atë që ta bën i yti , nuk ta bën njeri, atë që ja bëri Alfredi , nuk ja bëri njeri. Kurse për Alfredin do tu them dy fjalë, kur kandidoi  e dëgjova një natë në TV tek thoshte “regjimi i tmerrshëm i Berishës”. Alfred, në qoftë se karakteri i burrit ekziston dhe ai vërtetë ekziston, mund të them se ti nuk paske deficit të lindur. Në kohën kur Alfredi çirrej në RV për regjimin e Berishës, Alfredica, e shoqja ishte drejtoreshë në regjimin tim. Pra vota këtyre njerëzve nuk u jepet, sepse nuk kanë asnjë interes tjetër, përveç interesave personale”.  Në fund të fjalës së tij përpara dhjetëra mijërave qytetarëve të Peqinit nënvizoi se, potenciali më i madh i Peqinit, pa dyshim më i madh janë gratë dhe burrat e tij, njerëz punëtorë të mrekullueshëm. 4 vitet ë vijnë  do të trefishojmë grantet për fermerët e Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë. Ai garantoi se qeveria do të rimbursojë me para në dorë, dhe se Tvsh-ja e të gjitha makinerive, plehrave , kimikateve, fidanëve që do të përdorin në serat e tyre bujqësore blegtorale dhe të çdo natyre. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat, të gjithë ujësjellësit dhe kanalizimet. “Peqini i zhvilluar, Peqini europian është motoja jonë”, përfundoi ai.
Imami: Do ta çajmë murin e bllokimit, siç çamë malin e Krrabës, për të dalë nga Elbasani në Tiranë
Kryesuesi i listës së PD në qarkun e Elbasanit, Arben Imami premtoi më shumë investime në energjetikë dhe bujqësi, në mandatin e ardhshëm. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatëve në qytetin e Peqinit, ministri Imami  theksoi se, “ne vijmë në qarkun e Elbasanit ballëhapur, se kemi investuar shumë dhe do të investojmë edhe më shumë katër vitet që vijnë". Më tej Imami vuri në dukje se, “Pas pak ditësh kryeministri Berisha do të inaugurojë rrugën Tiranë-Elbasan, vepra më  e madhe publike e këtij mandati që ka hapur perspektivën ekonomike dhe vende të reja pune për gjithë qarkun", tha Imami. Ai vuri në dukje investimet në energjetike në këtë zonë përmes nënshkrimit të kontratave prej disa qindra miliona dollarë, ku veçoi nisjen e punimeve të kaskadës së Devollit, vepër që do të krijojë rreth pesë mijë vende të reja pune për Peqinin, Gramshin dhe Elbasanin. Kandidati Imami theksoi se zhvillimi i fshatit ka qenë një tjetër synim i qeverisjes së PD-së mandatin e shkuar, ku vetëm në këtë qark janë mbështetur financiarisht mbi 5 mijë fermerë. "Katër vitet e ardhshme do të investojmë tre herë më shumë për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë", theksoi Imami.  Ai akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama për bllokimin e statusit të vendit kandidat duke mos votuar tre ligjet e integrimit. "Rama me këtë qëndrim iu kthye politikave bllokuese të izolimit komunist. Shqipëria do të kishte 250-300 milion euro më shumë nga Bashkimi Europian, që do të ishin investime për  shkolla dhe vepra në infrastrukturë. Por, më 23 qershor, bashkë me Partinë Demokratike do ta çajmë murin e bllokimit, siç çamë malin e Krrabës, për të dalë nga Elbasani në Tiranë", theksoi Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›