Berisha në Peqin: Në 100 ditët e para nuk do ketë pension nën 200 euro

TIRANË, 3 maj/ATSH Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qytetin e Peqinit.
Nqë fjalën e tij, Berisha u shpreh se Shqipëria do jetë krenare me këtë ekip që do jetë avokat i pamposhtur i kauzave të qytetarëve në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.
“Peqini po të vështrosh në historinë e tij, është një diamant me një histori madhështore mijëravjeçare. Ai ka pasuri të pafundme, ka toka ndër më pjelloret, ka lumin, ka kodrat dhe njerëzit e mrekullueshëm punëtorë. E megjithatë nga Peqini këto vite ikin, ikin dhe vetëm ikin bijtë dhe bijat e saj. Ka një gjë themelore që nuk shkon në këtë vend, ky largim masiv i shqiptarëve nuk vjen se ata nuk duan Peqinin, nuk vjen se ata nuk kanë lidhje malli dhe zemre me familjen e tyre, nuk vjen se ata nuk e duan vendin e tyre, por kjo vjen se para tyre janë vendosur mure papunësie”, tha Berisha.
Sipas tij, “Peqini dhe Shqipëri është bërë e pajetueshme sepse pensionistët që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro”.
“Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak. Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë. Nuk arrijnë të jetojnë këtu se bizneset ndrydhen dhe gjobiten nga të katër anët”, vijoi kreu I PD-së.
Ndërsa fermerët, theksoi Berisha, kanë mbështetje mizerabël dhe nuk konkurrojnë dot me fermerët e Maqedonisë, Kosovës apo Serbisë, sepse ata marrin mbështetje pesë herë më shumë se fermerët e Peqinit.
“Prodhimet tuaja të mbeten në ara, të hidhen në lumë ose toka të mbetet djerrë. 80% e të gjitha frutave dhe zarzavateve që shiten në dyqanet tona janë importi, ndërkohë që Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm sa asnjë vend tjetër. Në këto kushte ne kemi një program i cili nuk është një program i shpikur, por që bashkon praktikat më të mira të vendeve përreth dhe vendeve të tjera. Ky program vendos t’u kthejë paratë qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha.
Më tej, Kreu i opozitës tha se “Edi Rama solli këtë vit buxhetin 8 miliardë euro. Kishte lënë gjithsej për pensionistët 16 milionë euro. Për 760 mijë burra dhe gra vetëm 16 milionë euro”.
“Kur ne kërkuam të vendosim minimumin jetik 200 euro, kjo, tha ai, na çon në humnerë. Sot zyrtarët shqiptarë marrin rrogat më të larta në Ballkan. Sot diferenca mes rrogës minimale dhe rrogës më të lartë është 14-15 herë, sa asnjë vend tjetër në planet. Mund të ketë ndonjë sulltan apo ndonjë mbret, por vend që vendos të tillë hendek mes rrogës së lartë dhe të ulët si këtu nuk ka. Ndaj dhe jam sot këtu për të kërkuar nga të gjithë ju, nga të gjithë qytetarët e Peqinit, të gjithë fermerët e Peqinit, të bashkohemi për të votuar ndryshimin”, u shpreh Berisha.
Kreu I PD-së, premtoi se “në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro. Dhe sot me pension nën 172 euro janë 57 përqind e të gjithë pensionistëve. U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro”.