E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Pogradec: Edi Ramës po i vjen pensioni i parakohshëm

10-04-2011 / Nga Leonard Quku

“Aleanca për Qytetarin” çel fushatën elektorale për bashkinë e Pogradecit. Kryeministri Berisha dhe ministri Haxinasto prezantojnë kandidatin e ndryshimit për qytetin e Liqenit, humanistin Luan Topçiu
Berisha: Vota për Aleancën tonë do e çojë Pogradecin në krye të destinacioneve turistike

Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” i kryesuar nga Partia Demokratike, çeli dje pasdite fushatën elektorale në Pogradec, duke prezantuar mes mijëra simpatizantëve pogradecarë kandidatin për kryetar bashkie të qytetit të Pogradecit, studiuesin prof. dr. Luan Topçiu. Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Pogradecit që në 8 maj të votojnë Luan Topçiun për ta shndërruar Pogradecin një qytet në krye të destinacioneve turistike dhe për ta shpallur atë pasuri të mbarë botës.
“Luan Topçiu, është njeriu që do të bëjë që Pogradeci i kësaj dekade të jetë një nga qendrat më të mëdha turistike të Shqipërisë”, theksoi kryeministri Berisha.
“Kam ardhur sot në Pogradec me një kënaqësi të veçantë për të paraqitur zotin Luan Topçiu si kandidat për kryetar të bashkisë së këtij qyteti që kaq shumë e doni ju, që kam shumë e dua unë dhe mbarë Shqipëria. Luan Topçiu, qytetari juaj i shquar, biri i një familje të nderuar të këtij qyteti, njeriu që me dashurinë, frymëzimin, respektin që ka dhe ushqen për ju do të bëj që Pogradeci i kësaj dekade të jetë një nga qendrat më të fuqishme, më të bukura, më të mëdha turistike të Shqipërisë. Unë vij sot tek ju me kënaqësi të madhe, sepse viti që shkoi ishte viti juaj, viti i Pogradecit, viti i miqve tuaj nga e mbarë bota. Këtë vit në të cilin Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, Pogradeci, perla e saj, do të presë turistë më shumë se kurrë në historinë e tij. Ju, qytetaret dhe qytetarët e Pogradecit, keni në shpirt mikpritjen si të gjithë shqiptarët, por më shumë se gjithë të tjerët ju keni në shpirt mikpritjen e turistëve nga e mbarë bota. Kjo, sepse liqenin apo gjolin që ju e keni pjesë të shpirtit tuaj, këtë bukuri përrallore natyrore, kërkoni ta ndani me çdo shqiptar e me çdo qytetar nga e mbarë bota. Unë vij sot këtu, gjithashtu, i bindur se këto vite ne kemi dëshmuar respektin tonë të madh ndaj jush, dashurinë dhe përkushtimin tonë. Në këto vite ne kemi investuar për Pogradecin 50 herë më shumë se 8 vitet e mëparshme, kemi investuar më shumë se të gjitha kohërat. Në rrethin tuaj ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 80 kilometra rrugë. Jam sot këtu për tu zotuar se në rrethin tuaj gjatë 4 viteve që vijnë do të asfaltojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të qytetit dhe fshatrave tuaja.  Në rrethin tuaj ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 16 shkolla. Jam sot këtu për tu zotuar para jush se 4 vitet që vijnë, me qeveritarët tuaj vendorë, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në këtë rreth. Në ujësjellësin tuaj modern kemi investuar 25 milionë euro, ndërsa në mbarë rrethin kemi ndërtuar 14 ujësjellës. Jam sot këtu për tu zotuar se qyteti dhe banorët e rrethit tuaj do të furnizohen me ujë 24 orë. Në rrethin tuaj ne kemi investuar në dhjetëra qendra shëndetësore, po rikonstruktojmë spitalin. Sikundër, kemi subvencionuar rreth 400 hektarë dru frutorë. Pogradeci sot është në ritme të shpejta zhvillimi”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë premtoi se qyteti që ka në shpirt liqenin e mrekullueshëm do të bëhet një qendër e vërtetë turizmi prej investimeve të qeverisë që kanë si prioritet që Pogradeci të fitojë statusin e vendeve të preferuara turistike për thithjen e sa më shumë turistëve vendas e të huaj.
Kreu i ekzekutivit tha se qeveria e tij në këto vite ka investuar për Pogradecin 50 herë më shumë se në tetë vitet e mëparshëm të qeverisjes socialiste.
Kryeministri garantoi se një nga veprat e kryebashkiakut të ri të Pogradecit do të jetë shëtitorja e Tushemishtit.
Por përballë kësaj alternative, tha më tej Kryeministri Berisha, është edhe alternativa e rrugës së vetme, të cilën populli shqiptar e provoi se cila ishte në 45 vite.
Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha u shpreh se “nuk kam ndërmend të merrem, të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda, me disfatat politike të Edi Ramës dhe as me betejat e tij politike. Por dua të theksoj dy gjëra këtu para jush. 21 vjet më parë, unë, ish mjeku që kaloja çdo verë pushimet në këtë qytet, takova në një takim me intelektualë Presidentin e asaj kohe dhe i thash se duhet të hiqte nga Kushtetuta atë nen që i jepte Partisë së Punës rolin hegjemon dhe se partia duhet të kishte atë rol që meriton me vota. Ai mu kthye dhe tha: kurrën e kurrës! Unë iu përgjigja: never say never! (Kurrë mos thuaj kurrë). Kur dje pash në televizor se si shoku Edi Rama kishte nxjerr një spot ku thoshte “kurrë më”. Dua t’i them shokut Rama: kujdes nga ‘kurrë më’ se fatin e Ramizit do të pësosh, pension të parakohshëm dhe shumë shpejt”.

Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto

“Luan Topçiu do ta bëjë Pogradecin qytet Universitar”

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe njëherazi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i pranishëm në çeljen e fushatës elektorale të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për bashkinë e Pogradecit, vlerësoi figurën e kandidatit Luan Topçiu, si përfaqësuesin e vlerave dinjitoze të qytetit turistik. Ai tha se Pogradeci meriton një drejtues dhe menaxher vizionar, për të përshtatur perspektivën Evropiane të Pogradecit turistik, në përputhje me aspiratën integruese të Shqipërisë.
“Djali i Pogradecit i cili tashmë ka përfaqësuar në mënyrën më të denjë, vlerat më të mira të këtij qyteti dhe to këtij koalicioni. Ai synon me të gjithë forcën e tij, me një synim të vetëm që ai më 8 maj të  jetë fitues, të jetë menaxheri i Pogradecit të së ardhmes, Pogradecit evropian. Ai përfaqëson axhendën e koalicionit për integrim, axhendë e cila konsiston në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, axhendë e cila konsiston në rritjen e eksporteve shqiptare, në zhvillimin e gjithanshëm social, është një axhendë që e çon Shqipërinë më afër Evropës, është një axhendë që i çon shqiptarët pa viza në Evropë. Ky është koalicioni që mbështet Prof. Dr. Luan Topçiun. Shikoni programin e tij i cili do ta paraqesë edhe sot. Ai është programi i Pogradecit evropian, i Pogradecit të zhvillimit dhe të biznesit, është programi i luftës kundër papunësisë pra i zhvillimit, i punësimit, i tregtisë, i turizmit”, u shpreh Haxhinasto.
Sipas tij, me Luan Topçiun Pogradeci do të jetë qendër rajonale e Turizmit, do të jetë qendra më ekologjike e turizmit në të gjithë rajonin.
“Pogradeci është në programet më madhështore që ka kjo qeveri. Investimet do të vazhdojnë sidomos për sa i takon veprave publike, do të jenë investime të cilat do ta bëjnë Pogradecin, e përsëris qendrën më të shquar ekologjike dhe turistike të të gjithë rajonit. Vlerat e mëdha natyrore që ka Pogradeci, vlerat e mëdha që kanë qytetarët e tij punëtor, qytetar që e kanë dëshirë punën, tashmë do të kenë një menaxher si Luan Topçiu i cili do ta bëjë çdo qytetar që ta ndiejë që vitin e parë të drejtimit dhe menaxhimit të tij, çfarë do të thotë të kesh vizion, të jesh vizionar, të jesh menaxher i mirë dhe mbi të gjitha të kujdesesh për qytetarin”, tha më tej numri 2 i qeverisë, Edmond Haxhinasto.
Në përfundim ai deklaroi para mbështetësve se kandidati për bashkinë e Pogradecit Luan Topçiu ka një projekt ambicioz për ta kthyer qytetin turistik edhe në qytet Universitar. 
“Luan Topçiu ka dhe një ide tjetër të rëndësishme, ta bëjë Pogradecin edhe një qytet universitar, pasi është universiteti, është shkolla ajo që në fund të fundit përpunon vizionin, përpunon menaxherët dhe realizon të gjitha objektivat , gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Unë ju kërkoj që këtë entuziazëm që ju keni sot ta ktheni në energji, në punë me të gjitha qytetarët e Pogradecit me qëllim që fitorja e 8 majit të jetë një fitore spektakolare, të jetë mbi të gjitha një fitore e koalicionit por edhe e qytetarëve të Pogradecit”, konkludoi nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto.

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Pogradecit, Luan Topçiu

“S’do lejojmë betonizimin – Pogradecit do i kthejmë krenarinë e merituar”

Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për bashkinë e Pogradecit, Luan Topçiu deklaroi dje në çeljen e fushatës elektorale se ai do të fitojë në 8 maj, për qytetin dhe qytetarët e Pogradecit. Topçiu u shpreh se Pogradeci s’do lejohet në bjerë në duart e klientelës së betonit, braktisjes së vlerave qytetare, dhe humbjes së bukurisë natyrore.
“Ka kaq shumë gjëra që na bëjnë krenar për Pogradecin. Ne jemi qyteti më i bukur i jugut të Shqipërisë, jetojmë buzë një liqeni nga më të bukurit në botë, ne i kemi falur kulturës kombëtare elita të dorës së parë, por shpesh kemi bërë zgjedhjen e gabuar. Qyteti i qytetarëve modestë e punëtorë, mikpritës e bujarë, qyteti i traditave të shkëlqyera qytetare meriton nj fat më të mirë. Pogradeci nuk të mbesë qyteti që nuk ndodh asgjë. Mbrëmjet e tij nuk do të mbeten të zymta dhe jeta kaq e varfër. Ka shumë probleme të shkaktuara dhe të rënduara gjatë 8 viteve të shkuara dhe me to nuk merret askush. Nuk mund të lejojmë që një qytet të betonizohet me shpejtësi të frikshme, nuk të lejojmë që një pjesë e madhe e qytetit të mbetet e braktisur. Harresa, braktisja, indiferenca ndaj qytetarëve nuk mund të jetë rruga e vetme. Mungesa e vizionit nuk mund të jetë rruga e vetme. Verbëria nuk mund të jetë rruga e vetme”, tha ai.
Kandidati demokrat vuri në dukje se në programin e tij elektoral një vend të rëndësishëm zë punësimi. Ai tha se do luftojë për thithjen e investimeve në qytetin turistik, në mënyrë që të hapen vende të reja pune për komunitetin. Luan Topçiu premtoi para qytetarëve të Pogradecit hapjen e 3 000 vendeve të reja të punës gjatë mandatit të ardhshëm.
“Varfëria është kërcënuesja kryesore e familjes dhe komunitetit pogradecar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritete të luftës sonë. Do mposhtim varfërinë me investime dhe punësim. Qëllimi i programit tonë është kalimi nga faza e mbijetesës në atë të mirëqenies. Do të luftojmë për thithjen e investimeve të drejtpërdrejta nga biznesi pogradecar, kombëtar dhe ndërkombëtar. Bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë shqiptare, rritja e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve, pozicionimi strategjik do të rrisë punësimin, do të ulë varfërinë dhe do të shtojë mirëqenien. Do të dëshmojmë hapje, kompetencë, seriozitet dhe vetëbesim. Kemi ambicien të jemi qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë juglindore që konkurron fuqishëm në hapësirën shqiptare dhe evropiane me investime, fonde, zhvillim ekonomik, arsimor, kulturor, turistik dhe mediatik. Ngritja e Pogradecit në statusin e një qendre rajonale është objektivi ynë afatmesëm. Jemi të vendosur ta bëjmë kalimin nga një qytet i vogël me një turizëm sezonal në një qendër urbane me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, me cilësi jetese, mbrojtje sociale, shërbime shëndetësore cilësore, arsim dhe standarde evropiane. Shfrytëzimi i bukurive natyrore, i investimeve dhe i kompetencës njerëzore është formula që do të garantojë suksesin. Do ta çlirojmë bashkinë nga interesat private dhe klanore. Bashkia do të jetë institucioni ku respektohet pa diskriminim interesi privat dhe promovohet interesi publik”, deklaroi ai.
Investimet në infrastrukturë dhe gjelbërim, janë një tjetër tregues i rëndësishëm i projektit të Topçiut.
 Brenda mandatit të ardhshëm do të asfaltohen 20472 metër linear që figurojnë të pashtruar në këtë qytet, do të riparojmë 11526 metër linear rrugë të prishura që figurojnë në këtë qytet si dhe brenda 6 muajve do të ndërtohet plani i zhvillimit urbanistik të Pogradecit.
“Shëtitorja Lin-Pogradec-Tushemisht, që do të nisë nga qeveria shqiptare është një investim strategjik dhe më i rëndësishmi i kësaj treve, gjatë gjithë historisë së saj, për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës. Do të bëjmë të njohur në nivel kombëtar e ndërkombëtar historinë antike, mesjetare dhe bashkëkohore të këtij qyteti. Do të luftojmë të fitojmë statusin e vendit më tërheqës për aktivitetet kulturore, politike, artistike, diplomatike etj. Do të ruajmë parametrat evropianë për ndërtim, hapësirat publike, terrenet sportive, kopshtet dhe shkollat. Do të përdoren të gjitha mundësitë për të zgjedhur zgjidhje optimale për të urbanizuar zona që nuk e kanë ndjerë asnjë herë dorën e bashkisë të qytetit dhe në radhë të parë do të bëjmë ndërtimin e rrugëve”, theksoi më tej kandidati i mazhorancës për bashkinë e Pogradecit, Luan Topçiu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›