Prozatori më i shquar i realizmit italian, Xhovani Verga
Kritikët e letërsisë italiane kanë përdorur shpesh tre formula për të përcaktuar periudhën e realizmit duke e ndarë atë në periudhen e Skapiljiaturës, Verizmit dhe Dekantizmit. Në fakt, pas vitit 1850, në Itali fillon të afirmohet poetika realiste dhe pjesa më e madhe e veprave përshtaten me tema që lidhen qartazi me realizmin që lindi në Francë me emrin Natyralizëm dhe që në Itali do të merrte emrin Verizëm.
Realizmi fillon të shfaqet në fillim në veprat teatrore sidomos në atë të teatrit dialektor, i cili shquhet së tepërmi në këtë periudhë duke vazhduar me komedinë e zhvilluar sidomos në ambientin e borgjezisë së vogël (mund të përmendim veprat e Vitorio Berzecios apo ato të Xhaçinto Galinës), por edhe në dramat e ambienteve popullore (ku spikasin Salvatore Di Xhakomo dhe Karlo Bertolaçi).
Ndërkaq, proza e shkruar midis vitit 1860 dhe fillimit të 1880 duket se ka për qëllim likuidimin e skemave të fillimit të vitit 1800. Duket se shkrimtarët e kësaj periudhe tentojnë të lënë pas modelin manxonian që sipas tyre është një model shumë i rëndë për lexuesin. Më të zellshmit e kësaj periudhe janë shkrimtarët që në letërsinë italiane njihen me emrin Skapiljatë (emër i huazuar prej romanit “Skapiljatura” të Kleto Arrigit). Janë të gjithë shkrimtarë të zonës së Milanos, të cilët e bazojnë letërsinë e tyre në një romantizëm më trasgresiv, duke preferuar fantastiken, frikën apo tmerrin dhe që për herë të parë fillojnë të eksplorojnë në zonat e errëta të ndërgjegjes së njeriut.
Këta prozatorë shndërrohen në kritikë të borgjezisë duke u distancuar nga shoqëria dhe duke arritur deri aty saqë ti drejtohen një publiku për të cilin ata vetë nuk kanë ndonjë simpati të veçantë, publik ky që sipas tyre nuk i kupton ata shkrimtarët.
Në tregimet dhe romanet e Arrigo Boitos dhe Emilio Pragës por sidomos në ato të dy autorëve më të shquar, Igino Ugo Tarketit dhe Karlo Dosit, e keqja sociale amplifikohet për të arritur deri në trasgresion dhe kjo pasqyrorohet edhe në stilin e tyre.
Nën shembullin e shkollës natyraliste franceze të Emil Zola edhe në Itali, nëpërmjet punës së palodhur të Luixhi Kapuanës u përhap idea e një letërsie që duhet të përfshinte realitetin e individit dhe të shoqërisë, e parë gjithmonë nga një këndvështrim shkencor.
Por përfaqësuesi më i spikatur i Verizmit dhe prozatori më i mirë i kësaj periudhe është padyshim Xhovani Verga. Pasi kishte shkruar shumë romane historike, siçiliani Verga me romanin Neda të vitit 1874 filloi të paraqiste në romanet e tij botën popullore siçiliane. Në tregimet “Jeta e fushave” të 1880 dhe “Novelat rustikane” e vitit 1881, ky shkrimtar analizon realitetin sipas metodës natyraliste për të verifikuar efektet e transformimeve historike dhe shoqërore duke mos zgjedhur si personazhe të librave të tij “të fituarit” por duke mëshuar tek “të humburit”.
Ndryshimi me Emil Zolanë ndoshta është pikërisht këtu, ndërsa për francezin shihet qartë dëshira e tij për të denoncuar , tek Verga (por edhe tek De Roberto) kjo përjashtohet, për të arritur deri në mbrojtjen e ideologjisë konservatore, nëpërmjet riprodhimit besnik të realitetit.
Vetë Xhovani Verga, në një prej novelave të tij, do të shkruante se “historia duket sikur lind prej asaj vetë”. Në kohën kur përfaqësuesi më i shquar i Verizmit Italian, Xhovani Verga, do të botonte librin e tij më të mirë “Malavoljët”, libër i pritur me shumë indiferencë prej lexuesve të asaj kohe, askush nuk do të besonte, se ky libër do të kishte pasur në të ardhmen një fat për ta pasur me të vërtetë zili.
Në ketë libër tregohet historia e një familje peshkatarësh siçilianë të cilët për shkak të vështirësivë ekonomike marrin pjesë në një spekulim tregtar dhe fill pas saj do të përballeshin me një sërë fatkeqësish dhe shqetësimesh. Pas vitit 1903 shkrimtari mbyllet në një heshtje totale dhe kthehet të jetojë përfundimisht ne Katania.
Do të shkruante Renato Serra në vitin 1914: “dikush nuk ndodhet më këtu dhe nuk do të dëshironim ta shqetësonim. Kalojnë vitet dhe figura e Vergës nuk zvogëlohet, mjeshtri i verizmit po fillon të shuhet, ndërsa shkrimtari sa vjen dhe zmadhohet”.
Vite më vonë, në vitet kur shkrimtari nuk jetonte më (Xhovani Verga ndahet nga jeta më 24 Janar të vitit 1922), kritikët më në zë, do ta rendisnin Vergën, së bashku me Manxonin në shkrimtarët që më së shumti dhanë kontributin e tyre më të madh në panoramën e romanit europian.