Berisha në Pogradec: Vizat po tmerrojnë mafien e Ramës
Kryeministri Berisha premtoi dje se qeveria e tij do të bëjë maksimumin, për të përmbushur qëllimin që i ka vënë vetes, atë të heqjes së regjimit të vizave gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm, e se për këtë nuk ka për ta penguar askush, duke nënkuptuar opozitën dhe kreun e saj, Rama. Sipas tij, mafia ka tmerr nga liberalizmi i vizave dhe integrimi në BE
Kryeministri Sali Berisha nga qyteti turistik i Pogradecit akuzoi dje publikisht opozitën për pengesat e qëllimshme që po shfaq lidhur me procesin e liberalizmit të vizave. Gjatë inaugurimit të rrugës së fshatit Lin, z. Berisha vuri në dukje se mafies shqiptare nuk i intereson heqja e vizave për shqiptarët dhe as anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Para banorëve të kësaj zone, Kryeministri premtoi se qeveria e tij do të bëjë maksimumin për të përmbushur qëllimin që i ka vënë vetes, atë të heqjes së regjimit të vizave gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm, e se për këtë nuk ka për ta penguar askush, duke nënkuptuar në këtë rast, opozitën dhe kreun e saj. “Ata që bëjnë thirrje se nuk na duhen ndërkombëtarët, mos mendoni se kanë interesat tuaja, mos mendoni se kanë interesat e familjeve tuaja apo të familjeve shqiptare, jo të dashur qytetarë, ata kanë vetëm një interes, interesin e mafies. Mafies nuk i intereson Evropa. Mafia ka tmerr nga liberalizmi i vizave, mafia ka tmerr nga integrimi në BE. Sepse ndjekja ndaj saj, lufta ndaj saj fuqizohet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe ne të shohim interesin tonë, interesin e lëvizjes së lirë, interesin e prosperitetit, e progresit drejt BE-së”, - deklaroi z. Berisha. Kreu i qeverisë garantoi shqiptarët se brenda 6 muajve do të lëvizin lirisht drejt vendeve të zonës “Shengen”. Ai përmendi se ky moment mjaft jetik për qytetarët tanë vjen pas ngjarjeve tepër të rëndësishme si Shqipëria anëtare e NATO-s, së cilës iu pranua kërkesa për anëtarësim të plotë në BE, me bukuritë e saj përrallore, që me potencialin e saj të jashtëzakonshëm do të bëhet një nga vendet më të kërkuara në Evropë, në botë, për pushuesit evropianë dhe nga mbarë bota. Por, - iu drejtua Berisha progradecarëcve, - këtë vit u vendos që vizat për ju, vizat për shqiptarët të hiqen brenda vitit të parë të këtij mandati. Ai i njoftoi ata se Parlamenti Evropian, tempulli i demokracisë evropiane, institucioni më i fuqishëm në Evropë, pas ratifikimit të Traktatit të Lisbonës votoi në unanimitet për heqjen e vizave për Shqipërinë, mbështeti vendimin e Këshillit të Ministrave për pranimin e kërkesës për anëtarësim. “Në dritën e proceseve të integrimit, të interesave jetike të çdo qytetari shqiptar për heqjen e vizave, heqja e vizave do të thotë bashkim familjar, heqja e vizave do të thotë punësim sezonal dinjitoz, do të thotë lëvizje e lirë në mbarë kontinentin, heqja e vizave do të thotë shkollim i fëmijëve ku të duan në të katër anët e kontinentit, do të thotë një preferencë shumë më e madhe për turizmin, për shkëmbimet tregtare, pra lehtësim të gjithanshëm”, - u shpreh Kryeministri i vendit. Berisha foli dhe për projektet madhe të qeverisë së tij përgjatë mandatit 4-vjeçar, duke investuar miliarda lekë në shkolla, spitale, rrugë, bulevarde, autostrada, ujësjellës, kanalizime. Të gjitha këto, sipas tij, për të shkëputur sa më shpejt vendin nga varfëria, duke krijuar vende pune dhe për të ecur të sigurt drejt integrimit. Ne, - pohoi Berisha, - na duhen të huajt dhe ne po luftojmë të integrohemi tek të huajt. “Ne jemi ata që kemi nevojë jetike për të lëvizur të lirë në kontinentin evropian. Ne jemi ata që kemi nevojë jetike për t’u ndarë nga prapambetja shekullore që kemi trashëguar, ne jemi ata që kemi nevojë jetike për begatinë që kombet e zhvilluara kanë prekur”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri ftoi pogradecarët që në datën 8 dhjetor të gjithë të mblidhen në Tiranë, në përvjetorin e 19-të të shembjes së murit shqiptar të komunizmit.
Lin, Berisha inauguron 1.8 km rrugë
Gjatë vizitës së djeshme në Pogradec, Kryeministri Sali Berisha inauguroi rikonstruksionin e rrugës së fshatit Lin. Kjo rrugë me gjatësi 1.8 km, gjerësi 8 m dhe trotuar në të gjithë gjatësinë e saj ka një vlerë prej 36 milionë lekësh dhe përmban të gjithë elementet e një rruge moderne e bashkëkohore. Duke përshëndetur banorët e pranishëm, Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria do të bëjë çdo investim që Lini turistik të rimëkëmbet gjithnjë e më shumë. “Shpreh kënaqësinë për këtë ditë të bekuar, këtë ditë të shenjtë, Ditën e Bajramit, ne inaugurojmë këtë rrugë kaq të bukur, një bulevard të vërtetë, në një prej fshatrave më piktoreske të Shqipërisë, në fshatin Lin. Shfrytëzoj rastin, t’iu uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, por dhe të gjithë të Zotit, gëzuar Ditën e Bajramit, këtë ditë të madhe, ditën e sakrificës së njeriut për zotin, për familjen e tij. Gjithçka ka ndërtuar dhe ndërton njeriu, gjithçka të mirë e realizon për vete, për fëmijët, për familjen, për shoqërinë, e ka të bazuar në mundin, në djersën në sakrificën e tij”, - tha z. Berisha. Kryeministri siguroi kryetarin e komunës dhe gjithë banorët e Linit se qeveria do të bëjë çdo investim që Lini turistik të rrimë këmbët gjithnjë e më shumë. Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Pogradecit t'i bashkohen festës së Partisë Demokratike, më 8 dhjetor në kryeqytet. Kryeministri i shoqëruar nga bashkëshortja dhe disa ministra të kabinetit qeveritar, vizitoi edhe myftininë e Pogradecit nga ku kreu i ekzekutivit uroi festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.